Fetahu: Fillimi i suksesshëm i një rrugëtimi të gjatë

Basketboll

Fetahu: Fillimi i suksesshëm i një rrugëtimi të gjatë

Më: 27 korrik 2021 Në ora: 13:58
Fetahu: Fillimi i suksesshëm i një rrugëtimi të gjatë

Kombëtarja e Kosovës u stolis me medalje të bronztë në Kampionatin Evropian për shtete të Vogla. 

Një sukses i madh për avshat tona në debutim dhe që përfituan edhe një përvojë.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ndihet krenar me vashat.

Fillimi i suksesshëm i një rrugëtimi të gjatë!

Debutuan. Sollën medalje. Emocione. Adrenalinë. Krenari. Basketbollistet e Kosovës filluan me medalje të bronztë paraqitjen në arenën ndërkombëtare. Ky është suksesi i parë i një rrugëtimi që pritet të jetë i gjatë dhe besojmë me shumë suksese. Vashat e Kosovës treguan si duhet luajtur për fanellë dhe si duhet luftuar. Ato treguan se ishte një vendim i drejtë paraqitja në garat ndërkombëtare. 

Nga kapitenia (Arbnore Përquku) e deri te 16 vjeçarja (Astera Tuhina) dhanë maksimumin në FIBA Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla.

Një ekip i kombinuar me lojtare me përvojë dhe të talentuara. Një ekip që premton shumë për të ardhmen. Një ekip që bëri një popull të ëndërrojë. Një ekip që duhet të synojë shumë suksese për të ardhmen. 

Kosova ka pasur shumë basketbolliste të jashtëzakonshme, por nuk kishin mundësi të bartin fanellën e Kombëtares, padrejtësisht pasi nuk ishim të pranuar në FIBA. Shumë basketbolliste e mbyllën karrierën me një vetëm peng. Shumë basketbolliste nuk e realizuan ëndrrën e vetëm në karrierë. Shumë punuan e jetuan për këtë ditë. 

Kjo gjeneratë do të mbetet në histori si debutuese në garat ndërkombëtare. Gjeneratë që përjetuan emocione që nuk i kishin përjetuar të tjerët. 

Vashat e Kosovës e veshën me krenari fanellën dhe e mbrojtën deri në fund. 

Jo pak emocione solli debutimi ndaj Qipros. Një fund dramatik, që u vendos me një tre pikësh. Solli debutimin e ëndrrave. Një fitore ku u gëzuan i madh e i vogël. Fitorja ndaj Maltës bëri që vashat e Kosovës të kenë në qafë medaljen e bronztë. Një medalje në debutim. Ky është fillimi i suksesshëm i një rrugëtimi të gjatë e shpresojmë me plot suksese. 

Në emër timin personal, Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe të gjithë punëtorëve në FBK, ju garantojmë se përkrahja nuk do të mungojë asnjëherë ndaj jush. Trajtimi do të jetë në nivelin më të lartë. E gjithë puna është bërë që ju sot të keni mundësi të përfaqësoni vendin në garat ndërkombëtare.   

Gëzofshim së bashku shumë suksese”, uron Arben Fetahu, kryetar i FBK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat