Dushku shpalos objektivat e saj me FBK-në në mandatin e dytë si Sekretare e Përgjithshme

Basketboll

Dushku shpalos objektivat e saj me FBK-në në mandatin e dytë si Sekretare e Përgjithshme

Më: 10 janar 2022 Në ora: 13:43
Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku

Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku në mbledhjen e fundit të Bordit të FBK-së për vitin 2021 konform Statutit të FBK-së dhe me propozim të Kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu është riemëruar edhe për një mandat shtesë (4 vjeçar) në këtë pozitë.

Përkushtimi në punë dhe perfomanca e shkëlqyeshme në detyrat e saj bënë që Bordi i FBK-së njëzëri të miratojë propozimin e Kryetarit Fetahu për riemërimin e Dushkut në këtë pozitë, e që në fakt është një post që sjell me vete shumë përgjegjësi, por është edhe nder e privilegj të jesh Sekretare e Përgjithshme e Federatës së dytë më të madhe sportive në vendin tonë.

Dushku në vitin 2017 ishte emëruar ushtruese e detyrës së Sekretares së Përgjithshme, ndërsa pas një viti Bordi i FBK-së ia kishte besuar postin e Sekretares së Përgjithshme me mandat 4 vjeçar. Atëbotë, Dushku ka qenë e vetmja grua në pozitën e ekzekutives në një Federatë apo organizatë sportive.

Dushku për faqen zyrtare të FBK-së www.basketbolli.com ka folur për të arriturat me FBK-në në mandatin e saj të parë dhe për punën që e pret në mandatin e dytë së bashku me Bordin, stafin e zyrës ekzekutive dhe të gjitha grupet e tjera të interesit të Federatës.

Çfarë do të kishit veçuar nga të arriturat me FBK-në në mandatin tuaj të parë?

Të arriturat me FBK-në në mandatin tim të parë do ti kisha ndarë në 4 pika:

Edukimi im në pozitën e lideres ekzekutive së një organizate të madhe sportive, siç është Federata e Basketbollit të Kosovës, prej të cilës presin të gjithë shumë dhe nga ky edukim qëllimi ka qenë që krahas meje të përfitojnë të gjithë të tjerët, duke filluar nga vetë Federata si organizatë sportive, por edhe anëtarët e tjerë që janë pjesë e zyrës, gjë që edhe ka ndodhur.

Ndërtimi i zyrës, pra krijimi i stafit të zyrës ekzekutive dhe krijimi i një ambienti të mirëfilltë për punë, si dhe krijimi i një standardi të punës brenda zyrës ekzekutive, gjithnjë duke u bazuar në qeverisje të mirë, llogaridhënie dhe transparencë.

Ndërtimi i raporteve të mira me të gjitha grupet tona të interesit, punë të cilën në vazhdimësi duhet ta bëjmë.

Hartimi i Planit Strategjik 5 vjeçar të FBK-së, për herë të parë në histori të Federatës.

Pra, këto kanë qenë disa nga të arriturat e FBK-së në mandatin tim të parë, të cilat do të kisha dashur ti veçojë, por që sigurisht se për ti realizuar të gjitha këto ne e kemi në krye një lider shembull siç është Kryetari Fetahu, i cili me punën e tij të palodhshme, por edhe shumë të mençur, mua më shtynë që të shkojë hapave të tij në realizimin e objektivave tona të përbashkëta në Federatë.

Krahas mbështetjes së Kryetarit, Bordi gjithmonë është krah meje, sepse unë me të vërtetë e bëjë punën me përkushtim dhe angazhim maksimal, ndërsa sa i përket stafit të zyrës ekzekutive mund të them se jemi rritur dhe zhvilluar së bashku, duke mësuar nga njëri-tjetri, por që sigurisht se si përgjegjëse e zyrës ekzekutive deri më tani mendoj se e kam udhëhequr me mjaft sukses punën dhe zhvillimin e anëtarëve të tjerë të stafit të zyrës.

Për çka jeni krenare më së shumti nga mandati juaj i parë në postin e Sekretares së Përgjithshme të FBK-së?

Ajo për çfarë krenohem më së shumti është se kur e kam marrë detyrën e u.d. Sekretares së Përgjithshme më 2017 kemi qenë vetëm 3 persona të punësuar në zyre, ndërsa sot ne jemi 13 anëtarë/e që jemi pjesë e zyrës ekzekutive, që do të thotë se jemi rritur dhe zhvilluar, gjithnjë sipas nevojave të parapara gjatë këtij procesi të rritjes si organizatë. Secili prej këtyre anëtarëve të stafit të zyrës janë pjesë e programeve të ndryshme të edukimit në FIBA, gjë që na bënë të jemi shumë krenarë me investimet që i bëjmë në stafin tonë, në ndërtimin e tyre, por edhe në zhvillimin e vetë Federatës.

Pra, ne jemi rritur shumë si Federatë, por kjo nuk do të thotë se duhet të vetëkënaqemi, sepse jemi të vetëdijshëm se na pret një punë shumë e madhe në vitet në vazhdim për të implementuar Planin Strategjik 2021-2025.

Të ndalemi tek Plani Strategjik i FBK-së. Viti 2021 ka qenë viti i parë i fillimit të implementimit të tij. Sa jeni të kënaqur me ecurinë e këtij plani?

Plani Strategjik i FBK-së 2021-2025 është përgatitur në bashkëpunim me FIBA-n, dhe ne së bashku me zyrtarët e FIBA-s që janë përgjegjës për zhvillimin e Federatave Nacionale çdo tre muaj e bëjmë analizën e punës së arritur brenda tre muajve, gjashtë muajve, dhe së fundi kemi arritur ta bëjmë edhe analizën e nëntë mujorit të parë. Mund të them me plotë mburrje se jemi shumë të kënaqur me të arriturat tona në këtë nëntë mujor, gjë që na ka dhënë motivim shtesë për të punuar edhe më shumë në vitin e dytë të implementimit të këtij plani.

Është shumë më lehtë kur i ke objektivat e qarta brenda një organizate, e ke Bordin dhe stafin prapa vetes, dhe e tëra që duhet të bësh është të udhëheqësh implementimin e realizimit të këtyre objektivave.

Cilat janë objektivat e FBK-së për vitin 2022?

Zhvillimi dhe fuqizimi i klubeve tona do të jetë ndër objektivat me prioritet për FBK-në në këtë vit, ku në bashkëpunim me FIBA-n do të organizojmë seminare për menaxhimin e klubeve/organizatave sportive, por në të njëjtën kohë do të mundohemi sa më shumë të komunikojmë me klube, si dhe kështu të bartim përvojën tonë tek klubet. Por për ta realizuar këtë duhet një vullnet i dyanshëm, e që besoj se në këtë rast nuk mungon nga të dyja palët.

Ne mendojmë se sa më të forta dhe më të zhvilluara do të jenë klubet tona, aq më i fuqishëm do të jetë sporti ynë, pra basketbolli, por edhe vetë Federata.

Fuqizimi i grave/vajzave në basketboll, pra ne synojmë që krahas masivizimit dhe rritjes së cilësisë në basketbollin femëror, të arrijmë të krijojmë lidere, menaxhere të suksesshme, trajnere të suksesshme, gjyqtare të suksesshme e kështu me radhë. Këtu mendoj se do të kemi mjaft punë dhe do të përballemi me sfida të mëdha, por ne jemi të gatshëm që këtë objektiv ta realizojmë konform afateve kohore të paraqitura në Planin Strategjik.

Stabiliteti financiar në FBK do të vazhdojë të jetë ndër objektivat kyçe edhe në 2022. Në vitin 2021 kemi qenë shumë të kënaqur me të hyrat që i kemi realizuar dhe kjo na jep forcë për të vazhduar me punën në sigurimin e sponsorëve/partnerëve të tjerë të ardhshëm të Federatës.

Do të vazhdojmë të punojmë dhe zhvillojmë Qendrën Nacionale të Basketbollit, do të sjellim Junior NBA në Kosovë, do të punojmë me Përfaqësueset e Kosovës, si dhe do të përpiqemi që të zhvillojmë sa më shumë basketbollin 3×3, e që është një tjetër objektiv sfiduese për ne.

A keni edhe diçka për të shtuar…?

Nuk dua të harroj pa përmendur edhe mbështetjen që e kam nga familja, shoqëria, si dhe nga mentoret e mia në këtë rrugëtim timin që e kam nisur që nga viti 2017, sepse me të vërtetë te kesh mentore të suksesshme, siç i kam unë, është një vullnet shtesë për të synuar çdo herë e më lartë.

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat