Fetahu zbulon dy projektet madhore në basketboll

Basketboll

Fetahu zbulon dy projektet madhore në basketboll

Më: 16 janar 2022 Në ora: 08:48
Arben Fetahu

​Përtej sfidave dhe problemeve të cilat kryesisht kanë ardhur si pasojë e pandemisë COVID-19, viti 2021 po konsiderohet si vit i suksesshëm për ecurinë e basketbollit të Kosovës.

Zhvillimi i të gjitha garave sipas planifikimeve dhe paraqitjet e mira të përfaqësuesve si te meshkujt, ashtu edhe te femrat, kanë qenë pika pozitive që e kanë karakterizuar këtë vit për basketbollin vendor.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu në një intervistë, ka thënë se viti që po lëmë pas ishte pozitiv për federatën që ai e drejton për shkak se janë realizuar disa projekte shumë të rëndësishme për rritjen e nivelit të këtij sporti.

Fetahu: Realizuam projekte të rëndësishme gjatë vitit 2021

“Për Federatën e Basketbollit të Kosovës vitit 2021, ka qenë befasisht pozitiv edhe për mua personalisht. Nëse do të kisha bërë një dëshirë në fillim të këtij viti që po e lëmë pas nuk di nëse do të kisha mundur të kërkojë një gjë të tillë për shkak se përkundër faktit që e filluam dhe po e mbarojmë në pandemi këtë vit, basketbolli në Kosovë ka shkuar përpara dhe disa projekte të cilat ne i kemi pasur shumë të rëndësishme në Federatën e Basketbollit, e të cilat konsideroj se janë shumë të rëndësishme për basketbollin dhe zhvillimin e tij në përgjithësi, kemi arritur t’i jetësojmë gjatë këtij viti pandemik...Nëse duhet t’i rendis tri kryesore, atëherë pa i dhënë cilësdo rëndësi të veçantë, e kisha përmendur patjetër aktivizimin e reprezentacionit A të femrave, krijimin e përfaqësueses së fermave për herë të parë dhe garimin, respektivisht të suksesshëm dhe nxënien e vendit të tretë dhe fitimin e medaljes së bronztë në kampionatin për shtete të vogla që është mbajtur në Qipro, e dyta është liga unike...e treta, prapë po them jo për nga rëndësia sepse ky mund të jetë ndoshta projekti më i rëndësishëm të cilin ne e kemi për basketbollin kosovar, është themelimi i Qendrës Kombëtare për zhvillimin e basketbollit”, tha Fetahu.

Sa i përket ecurisë së rezultateve të Kombëtares së Kosovës, Fetahu pranon se nuk është i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, por shton se në këtë ecuri jo të mirë kanë ndikuar lëndimet dhe infektimet e lojtarëve me COVID-19.

Fetahu: Nuk jam i kënaqur me rezultatet e Kombëtares së Kosovës në basketboll

“Sa i përket përfaqësueses nuk jam i kënaqur me rezultatet të cilat i kemi arritur gjatë këtij viti. Nuk jam i kënaqur posaçërisht me atë ciklin kualifikues paraprak, ku ne i fituam dy ndeshjet e para, i humbëm katër radhazi pastaj. I humbëm katër radhazi, dy për shkak të mungesës së fatit për shkak se i patëm lojtarët e prekur me lëndime dhe me COVID...Te femrat, jam i kënaqur me rezultatin të cilin e kemi arritur vitin që po e lëmë pas. Vendi i tretë në një garë në të cilën merr pjesë për të parën është sukses patjetër. Ne do të marrim pjesë në të njëjtën garë edhe në vitin 2022 dhe vitin 2023 për të qenë më të gatshëm për garime në nivele të tjera kualifikuese prej vitit 2024 e tutje...Në përgjithësi, një vit i mirë, një vit pozitiv për basketbollin me shumë risi por edhe shumë projekte të cilat janë iniciuar, janë konsideruar të vështira për kemi arritur t’i nisim në një vit pandemie, kemi siguruar fondet për këtë punë, kemi ngritje buxhetore për vitin 2021, kemi ngritje buxhetore për vitin 2022.”, tha më tutje Fetahu.

I pari i FBK-së flet për planet që janë në program për vitit 2022 dhe përmend dy prej tyre që sipas tij, janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e basketbollit kosovar.

Fetahu: Këto janë dy projektet madhe për vitin 2022

“Federata e Basketbollit nuk realizon projekte infrastrukturore për shkak se për këtë nuk merr fonde as nga autoritete e vendit as nga FIBA... Sa i përket garave, sa i përket aktiviteteve, synimi ynë është që gjatë vitit të ardhshëm të vazhdojmë më organizimin e mirë të garave siç e kemi pasur deri më tani por gjithashtu edhe t’i përvishemi punës në dy projekte të cilat janë shumë të rëndësishme për Federatën e Basketbollit, shumë të rëndësishme për basketbollin e Kosovës të cilat nuk marrin aq shumë punë edhe aq shumë vëmendje të mediave. Kështu që për ne është shumë me rëndësi që sivjet ta jetësojmë projektin e mini-basketbollit do të thotë që të fillojmë kyçjen e fëmijëve nën 12 vjeç edhe ata të të dy grup-moshave, kemi planin, e kemi projektin, e kemi financimin... Edhe e kemi projektin të cilin jemi duke pritur ta zyrtarizojmë gjatë javëve të para të janarit me NBA që është projekti “Junior NBA” kur përmes bashkëpunimit të cilin do ta bëjmë me NBA të organizojmë në një format krejt ndryshe prej asaj që jemi mësuar deri më tani ku ekipet e përzgjedhin një ekip të NBA ta pasqyrojnë këtu. Do të thotë ne do ta kemi një Chikago Bulls ose një New York Kniks ose një Hichenak Sanks do ta kemi këtu në Kosovë të grup-moshës 13-14 vjeç. Këta fëmijë do të luajnë mes vete, do ta shpallim kampionin, do ta organizojmë final four-in, do ta bëjmë një event pak sa më ndryshe. Këto dy do të jenë si risi që do të vijnë në vitit 2022:”, njoftoi i Fetahu.

Kryetari i federatës gjithashtu bëri të ditur se në Kosovë vazhdon të mungojë infrastruktura e duhur për zhvillimin e këtij sporti. Përtej kësaj, ai tha se gjatë këtij viti do t’i kushtohet vëmendje e veçantë basketbollit nëpër shkolla, ku do të organizohet kampionati kombëtar.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat