Prishtina fiton titullin e parë dhe historik të Ligës Unike

Basketboll

Prishtina fiton titullin e parë dhe historik të Ligës Unike

Më: 24 mars 2022 Në ora: 21:29
Prishtina fiton titullin e parë dhe historik të Ligës Unike

Prishtina ka mundur Penzën me rezultat 65:66 (21:17, 12:24, 10:12, 22:13), në finalen e Ligës Unike për femra. Ky ishte edicioni i parë dhe historik i kësaj gare te femrat, duke shkuar në klubin bardhekaltër.

Në çerekun e parë skuadra pejane për një nuancë ishte më e mirë, ku epërsinë më të lartë e kishte gjashtë pikë, 21:15, ndërsa kjo pjesë përfundoi 21:17.

Por, prishtinaset rikthehen shpejt në periudhën e dytë, ku ishin më të mirë me epërsi të dyfishtë. Bardhekaltret kaluan fillimisht në epërsi 23:24, e më pas ngritën epërsinë në shtatë pikë, 29:36, kurse pjesa e parë përfundoi 33:41.

Image

Perioda e tretë ishte me e baraspeshuar dhe u karakterizua me mbrojtje të fortë nga të dy skuadrat, duke bërë që të shënohen vetëm 22 pikë nga të dy skuadrat, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 43:53.

Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua lojë shumë interesante, ku skuadra pejane nuk dorëzohet dhe dy minuta nga fundi afron rezultatin në 61:63, e më pas edhe 65:66, por pa arritur të bëjë më shumë dhe Prishtina fiton edicionin e parë të Ligës Unike. 

Image

MVP është shpallur Stasha Carey, që e përfundoi ndeshjen me 15 pikë e 16 kërcime, çmim të cilin e ndau nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ndërsa medaljet i kanë ndarë Elvira Dushku, anëtare e Bordit Drejtues të Ligës Unike, Granit Rugova, Drejtor i Sportit në Komunën e Prishtinës, Linda Shala nënkryetare e FBK-së dhe Blerim Vuniqi, anëtar i Bordit Drejtues të Ligës Unike.

Image

Ndërkohë, trofeun e Kupës, kapitenes së Prishtinës, Arbnore Bytyqi ia dorëzuan Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe Kryetari i FSHB-së, Avni Ponari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat