Penza, triumfon në finalen e dytë

Basketboll

Penza, triumfon në finalen e dytë

Më: 15 prill 2022 Në ora: 22:38
Penza, triumfon në finalen e dytë

Penza ka fituar edhe ndeshjen e dytë të “Play-off”-it në finalen e Superligës së Femrave, duke mundur Prishtinën me rezultat 64:60 (10:17, 15:19, 17:13, 22:11).

Prishtinaset ishin duke fituar me 15 pikë dallim, megjithatë, pejanet bëjnë një përmbysje të madhe dhe tani avancojnë 2:0, ndërsa kampion shpallet skuadra që arrin tri fitore.

Ndeshja e ardhshme zhvillohet të hënën mbrëma në kryeqytet.

Pas një fillimi të barabartë, kryeqytetaset ishin për një nuancë më të mirë dhe në fund të çerekut të parë shkëputen, duke e fituar këtë pjesë 10:17.

Periudha e dytë ishte më e barabartë, por mysafiret arritën të menaxhojnë rezultatin dhe ta shtojnë epërsinë, që shkoi deri në 11 pikë, ndërsa pjesa e parë përfundoi 25:36.
Prishtinaset vazhduan me lojë të mirë në periodën e tretë, ku arritën epërsinë më të lartë, në 15 pikë, 34:49, por tetë pikë radhazi nga pejanet bënë që rezultati pas 30 minutash të jetë 42:49.

Pejanet nuk u ndalën dhe vazhduan me lojë të mirë, ku edhe kaluan në epërsi 52:51, e më pas ngritën epërsinë në 62:57, ndërsa në fund triumfuan 64:60.

Te Penza u dalluan Rael Whitsitt me 18 pikë e 17 kërcime, ndërsa në momentet e fundit shumë e mirë ishte Hilaire Kaela me 14 pikë, kurse te Prishtina u dalluan Sarah Mgbeike me 17 pikë e dhjetë kërcime, Stasha Carey me dhjetë pikë e 16 kërcime dhe Arbnore Përquku me 14 pikë, tetë kërcime e tetë asistime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat