Numri një i basketbollit në botë, viziton Kosovën

Basketboll

Numri një i basketbollit në botë, viziton Kosovën

Më: 23 shtator 2022 Në ora: 11:28
Andreas Zagklis viziton Kosovën

Për herë të parë Kosovën do ta vizitojë Sekretari Gjeneral i FIBA Botës apo numri një i basketbollit në botë, Andreas Zagklis. Ai do të vizitojë vendin tonë më 6-7 tetor, ku do të jetë i pranishëm në finalen e Superkupës Mbarëkombëtare, më 6 tetor në Mitrovicë, si dhe do të takohet me krerët e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), por edhe krerët e shtetit të Kosovës.

Zagklis është një mbështetës i madh i basketbollit të Kosovës, duke përkrahur projekte të ndryshme, si dhe FBK-në, ku në shumë raste e ka lavdëruar punën që bën Federata.

Ndërsa, kjo është vizita e parë e Sekretarit Gjeneral të FIBA Botës, më herët vendin tonë, e ka vizituar Turgay Demirel, President i FIBA Evropës dhe nënkryetar i FIBA-s.

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka folur për rëndësinë që ka vizita e Zagklis në vendin tonë.

“Vizita e Sekretarit Gjeneral të FIBA Botës, z. Andreas Zagklis në Kosovë është e rëndësisë së veçantë, pasi kjo është hera e parë që numri një i basketbollit në botë e viziton Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Ardhja e tij konsiston me mbështetjen e fuqishme që Zagklis e ka për Kryetarin Fetahu dhe Bordin e FBK-së në punën tonë të përbashkët për zhvillimin e sportit tonë të zemrës, basketbollit.

FIBA e ka dëshmuar mbështetjen e fuqishme për FBK-në nëpërmjet projekteve më të rëndësishme si Hartimi i Planit Strategjik të FBK-së 2021-2025, Edukimi i Trajnerëve, Licencimi i Klubeve, mbështetja e kuadrove të FBK-së për edukim si administrator dhe menaxher të sportit, si dhe projekteve për zhvillim të gjeneratave të reja, e në veçanti zhvillimit dhe masivizimit të basketbollit ndër vajza.

Ne jemi shumë të lumtur që z. Zagklis krahas takimeve institucionale, do të jetë i pranishëm edhe në finale të Superkupës Mbarëkombëtare, ku do të ketë rastin të jetë dëshmitar i një organizimi të nivelit të lartë organizativ nga FBK dhe KB Trepça", ka thënë Dushku për faqen zyrtare të FBK-së.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat