Trepça - Ylli, finale para finales

Basketboll

Trepça - Ylli, finale para finales

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 13:17
Trepça - Ylli, finale para finales

Sonte do të fillojë Superkupa Mbarëkombëtare, e cila do të mbahet në Mitrovicë.

Tri skuadra, dy nga Kosova dhe një nga Shqipëria do të marrin pjesë në këtë garë, e cila do të mbyllet nesër me ndeshjen finale.

Sonte nga ora 19:00 do të përballen në gjysmëfinale dy ekipet kosovare, Trepça dhe Golden Eagle Ylli.

Mitrovicasit luajnë pasi fituan Kupën e Kosovës, ndërsa therandasit si kampionë të Kosovës.

Këto dy skuadra u përballën edhe në finale të “Play-off”-it të Kosovës, ku Ylli kishte triumfuar 3:1 në serinë finale dhe u shpall kampion i Kosovës.

Për Trepçën, kjo do të jetë ndeshja e parë në Ligën Unike.

Ndërkohë, Verdhezinjtë e kanë fituar edicionin e fundit të Superkupës Mbarëkombëtare dhe kishin triumfuar në edicionin e parë të Ligës Unike.

Atmosfera pritet të jetë e jashtëzakonshme, pasi interesimi është i madh.

Mitrovicasit ditë më parë i organizuan mjaft mirë kualifikimet e FIBA Europe Cup dhe shpresojnë në një tjetër organizim madhështor për Superkupën Mbarëkombëtare.

Fituesi i kësaj ndeshjeje në finale do të përballet me Tiranën, që në fakt, është dashur të luajë ndaj Teutës, por durrsakët kanë probleme shëndetësore dhe ndeshja e parë gjysmëfinale nuk do të zhvillohet.

Finalja e madhe do të zhvillohet të enjten nga ora 20:00, ku do të jetë i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis.

Kjo është vizita e tij e parë në Kosovë, ku do të qëndrojë më 6 dhe 7 tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat