Flamurtari shkruan historinë, fiton për herë të parë Ligën Unike

Basketboll

Flamurtari shkruan historinë, fiton për herë të parë Ligën Unike

Më: 20 mars 2025 Në ora: 21:38
Ekipi i Flamurtarit

Ekipi i Flamurtarit është shpallur fitues i Ligës Unike në basketboll për femra për sezonin 2024-2025. Në finalen e luajtur në qytetin e Vlorës, skuadra vendase mundi 72-62 rivalet e Peja 03, në një ndeshje mjaft të bukur dhe emocionuese deri në fund.

Kjo është hera e parë që Flamurtari fiton këtë turne, ndërkohë që duket se qyteti i Vlorës i sjell fat ekipeve shqiptare. Dy vite më parë këtu fitonte edhe Partizani, ndërsa këtë herë është skuadra vendase ajo që feston para tifozëve të saj.

Ndeshja u komandua shumicën e kohës nga vajzat e Flamurtarit, që udhëheq 20-13 në mbyllje të periodës së parë. Kosovaret nuk dorëzohen dhe gjysma e parë e ndeshjes përfundon 40-33 për vlonjatet.

Në cerekun e tretë Peja arrin të ngushtojë shifrat, madje edhe të dalë një moment në epërsi, por Flamurtari reagon dhe udhëheq 56-55. Në 10-minutëshin e fundit loja bëhet interesante, por Flamurtari krijon një epërsi të lehtë që e ruan deri në fund.

Thompson me 17 pikë e 10 rebound, Johnson me 16 pikë e 19 rebound e Ramos me 12 pikë e 15 rebound (u zgjodh MVP e finales) u dalluan për vlonjatet, që festuan gjatë këtë sukses të parë në historinë e tyre në Ligën Unike.

Në ndeshjen për vendet 3-4, skuadra kosovare e Bashkimit mundi 72-71 Partizanin, duke zënë vendin e tretë, ndërsa kryeqytetaset mbetën jashtë podiumit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat