Superliga e basketbollit për meshkuj ka hapur dje javën e 18-të, me takimin Kamza-Apolonia në palestrën “Halit Coka” të Bathores.
Gjithçka e thjeshtë për fierakët, të cilët e kaluan me sukses këtë transfertë, madje duke fituar me rezultat të thellë. Apolonia triumfoi 93-131 pas një takimi, ku ishte dominuese gjatë të gjithë kohës.
Loja nisi me efikasitet të lartë ofensiv, me periodën e parë që u fitua nga miqtë 24-37. Në çerekun e dytë, diferencat ishin disi më të ngushta, fraksion që u mbyll 18-22 për Apoloninë, e cila shkoi në pushimin e madh me epërsinë 42-59 në shifra të përgjithshme.
Në çerekun e tretë produktiviteti në sulm është i lartë, ndërsa mbrojtjet janë thuajse inekzistente. Kështu, perioda mbyllet 30-32 për fierakët, të cilët udhëheqin 72-91 pas 30 minutash lojë. Miqtë e thellojnë edhe më shumë avantazhin, duke dominuar tërësisht në çerekun e fundit, aty ku realizojnë plot 40 pikë, kundrejt 21 pikëve të vendësve. Kështu gjithçka mbyllet me suksesin treshifror të Apolonisë, që del nga kjo përballje me një triumf me +38 pikë.
Amerikani Mcdonald me 26 pikë e 11 kërcime si dhe Samuel Skëndaj me 27 pikë e 9 kërcime ishin më të mirët për skuadrën fierake. Te Kamza u dallua Tedi Lluka, autor i 29 pikëve. Me këtë fitore, Apolonia “prenoton” zonën “play off”, ndërsa Kamza zhytet edhe më shumë në fund të tabelës. Java e 18-të do të kompletohet të dielën me takimet Teuta-Tirana dhe Besëlidhja-Vllaznia.