FSHB bashkon sërish kategoritë

Basketboll

FSHB bashkon sërish kategoritë

Më: 21 shtator 2025 Në ora: 11:57
Pamje

Në ambientet e Federatës Shqiptare të Basketbollit është hedhur dje shorti i kampionateve kombëtare 2025-2026.

Një sezon që vjen me risi dhe paqartësi, me garën sportive dhe fatet që po vendosen në zyrat e FSHB-së me një të rënë të lapsit, duke ndryshuar rregulloret sipas oreksit apo preferncave të drejtuesve.

Kështu, edhe një herë tjetër kampionati kombëtar i meshkujve rikthehet me një kategori të vetme, duke hedhur poshtë punën e ekipeve në sezonin e kaluar, të atyre që e siguaruan elitën në parket, duke investuar dhe duke derdhur djersë gjatë të gjithë kampionatit, ndërsa tashmë do të futen në një “thes” me skuadrat që duhej të luanin në nivelin e dytë.

Një veprim i bërë edhe 3 sezone më parë, duke krijuar kështu një precedent të rrezikshëm që bie ndesh me rregulloren, ndërsa verdiktet e parketit po merren vlejnë gjithnjë e më pak.

Duke u kthyer te shorti, FSHB kishte vendosur se nëse numri i skuadrave të regjistruara do të ishte më pas se 13, atëherë të gjitha ekipet do të grupoheshin në një kategori të vetme. Një vendim i pakuptimtë, duke qenë se prej vitesh Superliga në Shqipëri është zhvilluar me 6 ekipe. Numri i skuadrave që konfirmuan pjesëmarrjen e tyre këtë sezon në radhët e meshkujve ishte 12 dhe në vend që të kishim dy kategori me nga 6 ekipe, FSHB vendosi për një kampionat të vetëm.

Duke kaluar te shorti, java e parë dhuroi këto përballje Kamza-Teuta, Elbasani-Pogradeci, Vllaznia-Flamurtari, Tirana-Fieri, SkënderbeuApolonia dhe Partizani-Besëlidhja. Formati i kampionatit do të jetë më dy faza, ku dy vendet e para kalojnë direkt në gjysmëfinalet “play off”, ndërsa nga ekipet e renditura nga vendi i tretë deri të i gjashti do të luajnë në para “play off”, për biletat që të çojnë në gjysmëfinale. Ndërkohë për sa i përket mbijetësës, ajo duket se do të vazhdojë që të jetë “ekskluzivitet” i FSHB-së dhe jo i asaj që do të vendosë fusha e lojës.

FEMRAT – Kampionati i femrave këtë sezon ka prekur minimumin historik të ekipe pjesëmarrëse, një kategori, vetëm 5 skuadra gjithsej në të gjithë Shqipërinë.

Skuadrat pjesëmarrëse janë Flamurtari, Tirana, Partizani, Studenti dhe Vllaznia.

Java e parë ka dhuruar këto sfida: Tirana-Partizani dhe Flamurtari-Studenti, ndërsa Vllaznia do të qëndrojë pushim.

Kampionati do të jetë më katër faza, ndërsa vetëm skuadra e fundit në sezonin e regullt nuk kalon në “play off”.

Edicioni 2025-2026 i basketbollit shqiptar do të hapet me takimet e Superkupës, të cilat do të luhen më datë 27 shtator në sallën “Feti Borova”, Flamurtari-Tirana për femra në orën 17:00 dhe Besëlidhja-Vllaznia te meshkujt, në orën 20:00. Më tej, fundjavën pasardhëse, do të jetë radha e kampionateve, me federatën që pritet të zyrtarizojë datat dhe oraret e sfidave të javës së parë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat