Tifozët ”Plisat” kundërshtojnë zgjedhjen e Bekë Berishës! Ja arsyeja

Basketboll

Tifozët ”Plisat” kundërshtojnë zgjedhjen e Bekë Berishës! Ja arsyeja

Nga: K.G. Më: 14 janar 2026 Në ora: 23:13
Bekë Berisha

Tifozët ”Plisat” kundërshtojnë zgjedhjen për kryetar të ri të klubit të basketbollit Prishtina, Bekë Berishën.

Cila është arsyeja që “Plisat” e kundërshtojnë zgjedhjen e Berishës?    

“Sot u përballëm me një nga ngjarjet më të turpshme në histori të sportit të Kryeqytetit. Dhunshëm, tinëzisht dhe padrejtësisht, ata që nuk e duan klubin e basketbollit Prishtina, u mblodhën sot në një të ashtuquajtur kuvend, për ta zgjedhur kryetarin e ri të klubit.

Ky Kuvend i paligjshëm do të anulohet. Zgjedhja e një kryetari do të duhej të ishte e hapur. Gara do të duhej të ishte për idetë e vizionin për klubin.

Sot, shkatërruesit e klubit e shfaqën vetëm frikën e tyre, të cilën u munduan ta mbulojnë me një figurë nga jashtë si mburojë.

Këto veprime tregojnë që Plisat kanë të drejtë. Qëndrimet tona u vërtetuan sërish se janë të drejta. Në këtë kryesi nuk ka dashuri për klubin, nuk ka interes për zhvillimin e klubit, prandaj edhe veprojnë nëpër terr.

Bekë Berisha është njeri joprofesional dhe aspak kompetent për këtë fushë. Duke e pas parasysh këtë dhe formën se si është zgjedhur ky njeri, e si po vepron kjo kryesi e klubit, ata nuk e kanë mbështetjen e Plisave.

Kryesia sot zgjodhi kryetar një person që as nuk është tifoz dhe që kurrë në jetë nuk e ka përkrahur këtë klub. 
Blerand Stavileci, Florian Miftari e Arsim Svirca, frika është ajo që ju karakterizon, andaj keni menduar që mënyra më e lehtë të përballeni me frikën është duke vendosur para jush “gardian”, por ju nuk e kuptoni që në botën e vërtetë kjo është e pavlerë. Ju do të gjykoheni për veprimet tuaja si udhëheqës të klubit”, reagojnë mes të tjera “Plisat”.

Nga ana tjetër, KB Prishtina, ka njoftuar për kuvendin që ka mbajtur sot.

“Sipas premtimit paraprak, bazuar në rrethanat aktuale dhe kërkesën e tifogrupit Plisat dhe për hir të interesit të tifozërisë, sonte është mbajtur Kuvendi i Jashtëzakonshëm i klubit. Kuvendi u zhvillua në përputhje me Statutin e klubit dhe me prezencën e shumicës së delegatëve të Kuvendit.

Në këtë mbledhje u votua për dorëheqjen e kryetarit aktual, si dhe për zgjedhjen e kryetarit të ri të klubit.

Me shumicë absolute votash u propozua dhe u votua z. Bekë Berisha për kryetar të ri të klubit.
Z. Bekë Berisha, një emër i njohur dhe me kontribut të rëndësishëm në fusha të ndryshme në mbarë vendin dhe në kryeqytet, e pranoi detyrën me përgjegjësi të plotë, duke premtuar se klubi më i trofeshëm në vend do të rikthejë primatin e tij si në garat vendore ashtu edhe në ato ndërkombëtare”, -
shkruan në faqen e KB Prishtina.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat