Klubi i basketbollit Vëllaznimi i Gjakovës, po kalon krizë të thellë të rezultateve në Superligën e Kosovës.
Gjakovarët synojnë këndelljen sidomos pas incidentit që iu ndodhi në mesjavë në duel me Bashkimin, ku një tifoz huligan goditi me shishe në fytyrë ndihmëstrajnerin e Bashkimit, Bledar Gjeqajn.
KB Vëllaznimi është dënuar me gjobë prej 2200 euro në total dhe tre ndeshje pa shikues në pjesën e ballkonit, nga ku është hedhur shishja e plastikës.
“Gjakovë, koha është për t’u çu në këmbë!
Të dielën, më 18 janar në ora 17:00, në tempullin tonë, Vëllaznimi përballet me ekipin mik KB Trepça, por si gjithmonë edhe këtë herë kemi nevojë për secilin prej jush!
Jemi qyteti që gjithmonë i ka dhënë shpirt, sportit.
Dhe të dielën… duhet ta tregojmë përsëri!
Ftojmë çdo gjakovar, çdo familje, çdo të ri, çdo njeri që e ndjen veten Kuq e Zi:
Ejani masivisht! mbusheni çdo vend në sallë!
Le ta dridhim palestrën me energji, me brohoritje, e me zemrën e madhe që kemi!
Kulturë – Po.
Mikpritje – Po.
Respekt për mysafirët nga Mitrovica – Po.
Por në fushë… luan VËLLAZNIMI dhe luan e fiton me ju në krahë!
Vetëm ballkoni prapa bankës së rezervave mbetet i mbyllur nga vendimi i Federatës.
Çdo pjesë tjetër? Duhet ta mbushim plot!
Gjakovë, tregojuni të gjithëve çka do të thotë besë, zemër e kulturë sportive!
Të dielën, e bëjmë bashkë spektaklin!
Vëllaznimi nuk është vetëm klub, është dashni e përjetshme, është identitet!”, shkruan në faqen e KB Vëllaznimit.