Skandali që ndodhi në Kosovës është top lajm edhe në disa media boshnjake sidomos në mediumin “Dnevni Avaz”.
Ky medium alarmon për gjendjen e basketbollit të Kosovës.
“Trepça shënoi një fitore të rëndësishme ndaj Bashkimit me rezultat 90:81 në ndeshjen e zhvilluar në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, duke ruajtur kreun e renditjes në Superligën e Kosovës me gjithsej 31 pikë.
Megjithatë, përballja u dominua nga një incident i ndodhur gjatë lojës.
Trajneri i Trepçës, Adis Beçiragiq, hyri në fushë dhe reagoi ashpër ndaj gjyqtarëve, duke kundërshtuar një vendim që, sipas tij, nuk duhej të ishte marrë.
“F*uck këta gjyqtarë, çfarë është kjo më?”, dëgjohej të thërriste Beçiragiq, ndërsa lojtarët e ekipit të tij u përpoqën ta qetësonin.
Si pasojë e këtij reagimi, ndeshja u ndërpre për disa çaste.
Veprimi i Beçiragiqit (ish selektori i kombëtares së Bosnjës) ngjalli reagime të shumta në opinionin sportiv, me shumë tifozë dhe njohës të basketbollit që e cilësuan atë si një nga figurat kryesore të mbrëmjes për këtë incident.
Pas përfundimit të ndeshjes, pasuan kritika të ashpra ndaj gjykimit në kampionatin e basketbollit të Kosovës.
Opinioni publik po thekson gjithnjë e më shumë se basketbolli i Kosovës po rrezikohet seriozisht nga vendime të dobëta arbitrimi, veçanërisht në ndeshjet derbi të Superligës.
Disa punëtorë sportivë dhe tifozë kërkojnë reagim urgjent nga Federata e Basketbollit të Kosovës, duke propozuar angazhimin e gjyqtarëve të huaj deri në fund të sezonit.
Sipas tyre, në ndeshjet më të rëndësishme po delegohen gjyqtarë me përvojë të pamjaftueshme, ndërsa gjyqtarët me përvojë, siç pretendohet, gjykojnë sipas direktivave të parapërcaktuara”, shkruan mediumi boshnjak.
Trajneri i Trepçës u largua nga banka, ndërsa të martën u pezullua me një ndeshje dhe u gjobit me 600 euro nga FBK-ja.