Kupa e Shqipërisë në basketboll për meshkuj ka mësuar skuadrat gjysmëfinaliste të edicionit 2025-2026, teksa pas Besëlidhjes të martën, dje janë kualifikuar edhe Tirana, Teuta e Kamza.
Për bardheblutë, ashtu sikurse pritej, çerekfinalja derbi kundër Partizanit rezultoi një formalitet. Disa javë pasi e kishte shkatërruar me rezultat të rëndë në kampionat, Tirana fitoi sërish thellë, këtë herë në shifrat 112-47 (39-1, 28-14, 27-17, 18-15).
Një Partizan që vetëm emri i ka mbetur, i shndërruar në një skuadër që nuk plotëson dot as 10 lojtarë për stërvitje, ndërsa në periodën e parë shënoi vetëm 1 pikë gjithsej. Aleksis Nika, autor i 28 pikëve dhe i 8 kërcimeve, ishte lojtari me rendimentin më të lartë për Tiranën.
Një ndeshje që dhuroi betejë të fortë në parket ishte takimi mes Vllaznisë dhe Teutës. Durrsakët bënë goditjen e madhe në Shkodër, duke dalë fitimtarë me rezultatin 83-88 (19-29, 22- 22, 20-20, 22-17). Eliaj Farr me 23 pikë, 8 kërcime e 4 asistime, si dhe Jahmal Abbey-Wright me 28 pikë, bënë diferencën për Teutën.
Kështu pas nëntë fitoresh radhazi në të gjitha kompeticionet, vjen edhe ndalesa për kuqeblutë e Eni Llazanit, të cilët tashmë janë jashtë Kupës.
Në çerekffinalen tjetër, Kamza eliminoi Apoloninë, duke e mundur në shifrat e thella 58-82 (17-19, 10-19, 11-22, 20-22). Kujtojmë që vetëm pak ditë më parë, kamzalinjtë kishin fituar në Fier edhe në ndeshjen e kampionatit. Davit Murray udhëhoqi Kamzën në këtë takim, duke e mbyllur me 22 pikë e 11 kërcime.
Të shtunën do të jetë radha e gjysmëfinaleve, me Besëlidhjen që do të pëballet me Teutën, ndërsa Tirana luan kundër Kamzës, takime që do të zhvllohen në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”, aty ku të dielën do të luhet edhe finalja.