Ish-basketbollisti i njohur i NBA-së, Lamar Odom, pranoi sërish problemet e tij me varësinë nga droga gjatë një bisede me Tracy McGrady dhe Vince Carter në “The Cousins”. Ish-lojtari i Clippers, Heat, Lakers dhe Mavericks deklaroi:
“Në vitin 2015 më pëlqenin shumë drogat. Po flisni me një të varur të vërtetë. Konsumoja kokainë dhe nuk kisha detyrime”.
Odom, që në vitin 2015 pothuajse vdiq pasi ra në koma nga mbidoza, tha se nuk konsumonte gjatë sezonit sportiv: “Nuk merrja drogë kur luaja, por gjatë verës.
Do të ishte çmenduri të luaja dhe të përdorja kokainë njëkohësisht”.
Ai pranoi se organizonte “festa me kokainë” dhe se abuzimi dëmtoi trashëgiminë e tij: “Madhështinë dhe legjendën time si basketbollist i kam dëmtuar 100%”.
Ai tregoi se varësia nisi me marihuanën në moshën 14-15 vjeç, lidhej edhe me traumën e humbjes së nënës në moshën 12-vjeçare. Odom sapo përfundoi një program rehabilitimi 30-ditor në Los Angeles, pas arrestimit për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit.