Shqipëria e basketbollit të meshkujve ka pësuar humbjen e tretë në po kaq ndeshje të zhvilluara për raundin e parë të parakualifikueseve të “EuroBasket 2029”.
Kuqezinjtë u mundën dje nga Sllovakia me rezultatin e thellë 68-94 (15-17, 20- 30, 22-17, 11-30), takim i luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, i vlefshëm për Grupin C.
Në këtë sfidë debutoi në pankinën kuqezi edhe trajneri spanjoll Ricardo Gonzalez, i cili duhej të bënte llogaritë edhe me disa mungesa të rëndësishme si Hamati dhe Lekndreaj, duke u shtuar edhe një dëmtim të momenteve të fundit të Kirit.
Sllovakët e komanduan ndeshjen nga fillimi, ndërsa Shqipëria pati përmirësim të ndjeshëm në periodën e tretë, duke vijuar edhe në fillimin e të katërtës, ku arriti të afrohej në -6 pikë, kur kishin mbetur edhe 7 minuta lojë. Më pas miqtë i rivendosën shpejt distancat, për ta mbyllur të gjithë sfidën me +26 pikë, duke konsoliduar vendin e parë në grup.
Një ndeshje ku Sllovakia e bëri diferencën sidomos në gjuajtjet për 3 pikë, me 15 finalizime të sakta, ndërsa Shqipëria shënoi vetëm 3 herë nga jashtë zone.
Xhuljan Tola me 16 pikë, 7 kërcime dhe 4 asistime si dhe Çelis me 16 pikë, 4 kërcime dhe 1 asistim ishin lojtarët me rendimentin më të të lartë në radhët e Shqipërisë, ndërsa për sllovakët spikati amerikani David De Julius, MVP me 26 pikë, 3 kërcime dhe 6 asistime. Pas ndeshjes, trajneri spanjoll i Shqipërisë, Ricardo Gonzalez, e komentoi kështu paraqitjen e skuadrës: “U afruam me 6 pikë diferencë, por pësuam shumë pikë në fundin e takimit dhe gjithçka na iku nga duart në pak minuta.
Bëmë gabime, shkaktuam faulla, shpërdoruam shumë topa dhe pësuam shumë 3-pikësha.
Por, dua të theksoj se Sllovakia kishte një lojtar amerikan shumë të mirë si David De Julius, i cili bëri diferencën. Gjyqtarët gabuan dhe na dhanë 4 faulla teknikë, megjithatë humbja jonë nuk erdhi prej tyre. U mundëm sepse kishim edhe mungesa, si Hamati, Lekndreaj, apo Kiri që u dëmtua gjatë stërvitjes.
Të gjithë këto faktorë patën ndikimin e tyre në këtë humbje”, tha Gonzalez. Më 2 korrik Shqipëria do të zhvillojë ndeshjen e fundit në grup, teksa do të përbëllet me Kosovën në Prishtinë, një ndeshje që ka vetëm vlerë statistikore për Kombëtaren Kuqezi.