Vëllaznimi duhet ta ulë kokën dhe të punojë! Eh Gjakovë, eh Gjakovë, dikur krenari e sportit e sot…

Basketboll

Vëllaznimi duhet ta ulë kokën dhe të punojë! Eh Gjakovë, eh Gjakovë, dikur krenari e sportit e sot…

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 11 prill 2026 Në ora: 13:48
Pamje nga ndeshja

Gjeneratat e reja pak e mbajnë mend Vëllaznimin në basketboll.

Ky klub, në vitet e 80-ta, garonte në Ligën e Parë B të ish-Jugosllavisë dhe ishte krenari e qytetit dhe e Kosovës.

Sot, fatkeqësisht, gjendet në fund të tabelës dhe kërkon një fije shprese përmes ankesave, vetëm për të mbetur në ligë.

Vëllaznimi ka rënë nga liga, dhe askush tjetër nuk ka faj kur humbet ndeshjen vendimtare në mes të Gjakovës ndaj KB Rahovecit.

Kur nuk e fiton përballjen direkte në shtëpinë tënde, pavarësisht përforcimeve të shumta dhe të bujshme që u prezantuan si spektakolare, atëherë fajin duhet ta kërkosh vetëm te vetja.

Në vitet e arta, Vëllaznimi dominohej nga lojtarë shqiptarë cilësorë.

Po ku gjendet sot ai nivel?

Vëllaznimi duhet ta ulë kokën dhe të punojë.

Të kërkojë kthesën në të ardhmen, të rikthehet gradualisht dhe të bëhet sërish fuqi, siç ishte dikur.

Ky klub prej vitesh po përballet me krizë rezultatesh, ndaj më e mira është më pak fjalë e më shumë punë, për ta rikthyer namin që kishte.

Gjakovarët e dinë mirë kush kanë qenë në të kaluarën me sport dhe ku kanë rënë sot. Mjafton të shfletohet historinë, dikur krenari në futboll, basketboll e hendboll, ndërsa sot kriza të thella rezultatesh dhe rënie në rangje më të ulëta.

A e dini kush është faji?

Fajin duhet ta kërkojnë vetë gjakovarët, brenda vetes dhe brenda strukturave të klubeve. Sidomos ata që bënë përforcime të mëdha dhe nuk i realizuan objektivat me ato “super-përforcime”. Duhet analizë e thellë brenda ekipit për të kuptuar pse dështuan.

Mos harroni: në vitet e 80-ta, gjatë okupimit dhe edhe pas luftës, klubet e Gjakovës ishin ndër superfuqitë në futboll, basketboll dhe hendboll.

Sot, këto sporte janë larg nivelit që kishin dikur.

KB Vëllaznimi ka traditë, nuk është ekip për fund të tabelës.

Por fajin duhet ta kërkojë brenda vetes, kush i solli këto rezultate dhe pse u lejua që një emër kaq i madh të përfundojë në këtë gjendje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat