New York Knicks fituan bindshëm ndeshjen e parë të serisë së play-off-eve NBA, duke mundur Atlanta Hawks me rezultatin 113-102 në Madison Square Garden.
Knicks dominuan ndeshjen që në fillim dhe vendosën diferencën vendimtare në çerekun e katërt. Jalen Brunson udhëhoqi skuadrën me 28 pikë, ndërsa Karl-Anthony Towns kontribuoi me 25 pikë, shumica e të cilave në gjysmën e dytë.
Performanca e fortë e New Yorkut në pjesën e dytë tregoi gatishmërinë e tyre për të vazhduar tutje në play-off.
Hawks, edhe pa yllin e tyre Trae Young, mbërritën në këtë seri si një nga skuadrat më në formë në NBA. Ata kishin rekordin e tretë më të mirë të fitoreve (.769) që nga pushimi i All-Star, të udhëhequr nga talenti i ri Jalen Johnson. Megjithatë, në momentet vendimtare Atlanta nuk arriti të mbajë ritmin e Knicks.
Trajneri i New Yorkut, Mike Brown, u shpreh i impresionuar nga skuadra e tij. “Lojtarët treguan maturi dhe fokus të lartë”, tha ai.
Kjo fitore i jep Knicks një avantazh të rëndësishëm 1-0 në serinë më të mirë nga shtatë ndeshje, ku katër prej tyre do të luhen në Madison Square Garden.
Tani pyetja e madhe është nëse New Yorku do të vazhdojë këtë dominim apo Hawks do të gjejnë forcë për t’u kthyer në formën e tyre më të mirë në ndeshjen e dytë, që luhet nesër po në “Madison Square Garden”.
“Let’s Go Knicks!”
Një nga faktorët kryesorë të kësaj fitoreje ishte edhe mbështetja e jashtëzakonshme e tifozëve të Knicks. Që nga ora e hershme e mbrëmjes, turma të mëdha u mblodhën përreth Madison Square Garden. Brenda arenës dhe në Fan Zone me ekranet gjigante, atmosfera ishte elektrike. Tifozët “portokalli e blu” këndonin “Go NY Go” dhe “New York, New York”, duke e kthyer MSG-në në një kazan zhurmash që arrinte deri në kupë të qiellit.
Edhe jashtë, në hyrjen e 33rd Street ku hyjnë lojtarët, fansat nuk pushonin së thirruri “Let’s Go Knicks!”. Siç tha edhe Josh Hart pas ndeshjes: “Energjia është e madhe gjatë sezonit të rregullt… por në play-off është unreal.”
Në arenën e Madison Square Garden kur luajnë Knicks, ka shpirt. Ka New York – të ashpër, të pasionuar dhe që nuk dorëzohet kurrë.