Prishtinës i ndodhin telashet, ja pse e humbi ndeshjen me rezultat zyrtar

Basketboll

Prishtinës i ndodhin telashet, ja pse e humbi ndeshjen me rezultat zyrtar

Nga: K.G. Më: 18 shtator 2026 Në ora: 21:00
Klubi  i basketbollit Sigal Prishtina

Klubi  i basketbollit Sigal Prishtina ka humbur ndeshjen e parë të edicionit të ri në duel me Pejën.

Jo në parket por në tavolinë zyrtare. 

Pse e humbi ndeshjen, më së miri tregojnë drejtuesit e KB Sigal Prishtina përmes një komunikate.

“Ndeshja e paraparë të zhvillohet nesër ndërmjet KB Sigal Prishtina dhe KB Peja nuk do të zhvillohet dhe, në përputhje me rregulloret në fuqi, do të regjistrohet me rezultat zyrtar.

Shkak i kësaj situate janë obligimet financiare të krijuara ndaj agjentëve dhe disa lojtarëve, të cilat datojnë që nga fillimi i sezonit të kaluar. Këto obligime, për shkak të mosrespektimit të afateve të pagesave në periudhën përkatëse ne fund te vitit 2025, kanë çuar në paraqitjen e rasteve pranë FIBA-s dhe Basketball Arbitral Tribunal (BAT) dhe, me kalimin e kohës, detyrimet janë akumuluar dhe kanë arritur në shuma të konsiderueshme.

Nga ana jonë, pagesat e kërkuara nga avokati ynë, i cili na përfaqëson pranë FIBA-s, janë kryer, ndonëse me një vonesë të caktuar. Megjithatë, procedurat pranë FIBA-s janë të ngarkuara edhe me raste të tjera të klubeve që janë në radhë para nesh dhe që përballen me probleme të ngjashme.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, jemi angazhuar maksimalisht, ku falënderojmë edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës, e cila ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe ka ofruar mbështetjen e saj për zgjidhjen e situatës.

Pavarësisht përpjekjeve tona dhe të Federatës, vendimi përfundimtar dhe koha e përfundimit të procedurës pranë FIBA-s nuk kanë qenë në kompetencën tonë.

Shihemi në ndeshjen e radhës kundër Vllaznimit në Gjakovë”, ka njoftuar KB Sigal Prishtina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat