Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit është hedhur dje shorti i kampionateve për kombëtare për edicionin 2026-2027. Në radhët e djemve ka “firuar” një skuadër, pasi Fieri nuk do të jetë pjesë e kampionatit, duke bërë që numri i ekipeve të zbresë nga 12 në 11.
Për sa i përket javës së parë, goglat kanë dhuruar këto përballje: Teuta-Flamurtari, Tirana-Kamza, Besëlidhja-Partizani, Vllaznia-Elbasani dhe Pogradeci-Skënderbeu.
Për shkak të numrit tek të ekipeve, në javën e parë pushim do të qëndrojë Apolonia. Kujtojmë që në tre edicionet e fundit sporti i koshit është dominuar nga Besëlidhja e Lezhës, ndërsa rekordin për tituj të fituar e mban Partizani, 33 herë kampion, ndjekur nga Tirana me 21 tituj.
Duke kaluar te femrat, këtë sezon garës i është shtuar një skuadër, Sopoti Eagles, duke e bërë kompeticionin me gjashtë ekipe. Për sa i përket javës së parë ajo rezervon këto sfida: Sopoti Eagles – Studenti, Vllaznia – Partizani dhe Flamurtari – Tirana. Vlonjatet janë fituese të titullit në dy sezonet e fundit dhe regjistron 26 tituj, nga të cilët plot 19 i kanë fituar pas viteve 2000.
Rekordin e skuadrës më me shumë tituj në radhët e femrave e mban Tirana, 41 herë kampione e Shqipërisë. Për sa i përket startit të kampionatave për femra dhe meshkuj, ato pritet që të nisin më 10 tetor, pas zhvillimit të Kupës së FSHB-së dhe të Superkupës.