Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali ngre zërin e saj për pensionet

Diaspora

Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali ngre zërin e saj për pensionet

Nga: Petrit Aliaj Më: 5 mars 2021 Në ora: 00:56
Pamje nga takimi

Të kesh një pension për të jetuar me dinjitet në emigracion do të thotë të ndihesh i respektuar nga shteti yt dhe nga shteti ku ti kontribon me të ardhurat e tua. Të ardhura të cilat duhet të respektohen në bazë të legjislacionit në fuqi e për më shumë si një detyrim që shteti Shqiptar duhet ta ketë për shtetasit e vet simbas kushtetutës . Sigurisht nga të gjitha lëvizjet në emigracion nuk është e lehtë të thyhet muri i burokracisë së teknokratëve e cila i ka mbyllur sytë përballë një të drejte të ligjëshme .

Për këtë qëllim, Këshilli drejtues i federatës FNAI, me dt 27.02.2021, realizoi takimin e dytë të tij në bashkëpunim me specialistë dhe ekspertë ligjorë në fushën e emigracionit.

Takimi u drejtua nga Presidentja e Federatës dr. Margita Hoxha. Në pjesëmarrje të stafit të federatës ishin : zv. presidenti i FNAI-t Granit Muçaj, ing. Erida Çela Perlala, ing. Elda Hoxha, dr. Adela Shehu dhe Petrit R. Aliaj -President nderi i federatës “FNAI”.

Ishte një takim shumë i rëndësishëm nga pikëpamja e shkëmbimit të informacioneve dhe sensibilizimit të opinionit tonë të interesuar prej vitesh për shkak të një indiference dy palëshe, të qeverisë Italiane dhe asaj Shqiptare, në përpjekjet për të arritur nënshkrimin e marrëveshjes (Akordit) mbi Sigurimet Shoqërore ose zgjidhje tjetër më të shpejtë për mundësinë e daljes në pension shumë të moshuarve bashkëatdhetarë, që punojnë në Itali dhe qytetarëve italianë,që punojnë në Shqipëri.

Në takim ishin të ftuar zonjat e zotërijtë e më poshtëm:

On.Cesare Damiano- Sindikalist me shumë përvojë, Deputet në legjislaturat XV-XVI, Ministër i Punës në Qeverinë Prodi, President i Komisionit XI të punës publike e private në legjislaturën e shkuar, këshilltar në administratën INAIL, President i shoqatës ”Lavoro & Welfare”, bashkëautor i paraqitjes së një varg ndryshimesh dhe përpunimesh ligjore për pensionet dhe kushtetutën Italiane.

Dr.Beskida Aliaj- Përfaqësuese dhe koordinatore e (INAS)i Institutit Kombëtar të Ndihmës Sociale e CISL-it (Konfederata Italiane e Sindikatave të Punëtorëve) në Tiranë, specialiste në fushën e pensioneve të emigrantëve, autore e shumë shkrimeve dhe takimeve me personalitete shqiptare dhe italiane për pensionet.

Ing. Rosario Peta-Kryetar Bashkie i Komunës “Piana degli Albanesi", Palermo, anëtar i Grupit Koordinues për Diasporën shqiptare në Itali.

Av.Gentian Alimadhi- Avokat penalist, specialist në fushën e emigracionit dhe autor i një seri shkrimesh për të drejtat e shqiptarëve në Itali, kandidat për kryetar bashkie në Parma, publiçist e moderator i një seri takimesh, Ish president i shoqatës “Skanderbeg” dhe i shoqatës sportive në Parma.

Arch. Giorgio Rubolino -”Cavalier i Urdhërit të Merituar i Republikës Italiane". President i ANCIFRA-s ( Shoqata Kombëtare e Qytetarëve Italianë e Familjarëve të riatdhesuar nga Shqipëria ), përgjegjës i zyrës për emigrantët pranë ITAL-UIL të Astit, autor i një seri kërkesash për të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Itali, koordinator i grupit “Diaspora 91-19", bashkëpuntor në shoqatat shqiptare të Astit "ASSOALBANIA-PIEMONTE" e "Qëndra Kulturore Shqiptare "NËNË TERESA".

Dr. Gerarta Ballo- Aktiviste në fushën shoqërore -kulturore, ish diplomate në Ambasadën Shqiptare në Romë, Qytetare Nderi në komunën Lungro-Kozenza, kandidate për deputete në Parlamentin Europian dhe inisiatore e peticionit për të drejtat e pensioneve të emigrantëve në Itali.

Dr. Brizida Haznedari- Përfaqësuese ligjore e Koop. ”Arcobaleno" Lecco, këshilltare ligjore në komunën Lecco, specialiste për emigracionin,autore e referuese për mbrojtjen e të drejtave qytetare për bashkëjetesën shoqërore në Itali, mediatore kulturale, aktiviste e Federatës FNAI, pjesë e stafit të shoqatës "Sofra Shqiptare” në Lecco.

Në takim u diskutua mungesa e dëshirës nga shteti Italian dhe ai Shqiptar për të realizuar e nënshkruar marrëveshjen dypalëshe mbi Sigurimet Shoqërore, që u jep mundësinë bashkëatdhetarëve, të cilët punojnë në Itali si edhe qytetarëve italianë, që punojnë në Shqipëri të dalin në pension në kushtet ligjore të sejcilit vënd.

Deri më sot shteti shqiptar i ka realizuar këto marrëveshje me 14 shtete të tjera.

Numri i emigrantëve shqiptarë në Itali është i konsiderueshëm edhe nga pikëpamja e derdhjes së kontributeve të tyre të cilat përgjatë një periudhe 30 vjeçare, ato arrijnë shifrat 13 miljard euro, plus depozitat e tyre me rreth 1 miljard euro në bankat Italiane (viti.2019) Mungesa e parimit të barazisë dhe diskriminimi nga mos zbatimi i Art. 3, 35 e 38 të kushtetutës Italiane do të jetë një tjetër betejë e përbashkët, që duhet të ndjekim në të ardhmen, theksuan oratorët në takim. Ky fakt na detyron të kërkojmë përfshirjen e sa më shumë organizatave e shoqatave të ndryshme shoqërore në Itali për mbështetje në ndërmarrjen e aksioneve konkrete të përbashkëta, me nota proteste në drejtim të shtetit Italian dhe atij Shqiptar. Aksione të cilat do të përfshijnë peticione, protesta e demostrime të ndryshme për të arritur realizimin e së drejtës për të gëzuar një pension dinjitoz për të gjithë ata, që sot kanë një moshë relativisht të madhe, por edhe për atë brez i cili po punon e duhet ta gëzojë këtë të drejtë.

Këshilli Drejtues i Federatës FNAI-Italy

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat