Mërgimtarët duhet ta ushtrojnë të drejtën e votimit të lehtësuar në mërgatë 

Diaspora

Mërgimtarët duhet ta ushtrojnë të drejtën e votimit të lehtësuar në mërgatë 

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 4 prill 2021 Në ora: 09:03
Idriz Zeqiraj

Kërkesë për ligjin për zgjedhje, votimit të mërgimtarëve në ambasada, konsullata dhe mjedise ku jetojnë mërgimtarët tanë

Drejtuar:

Presidentit-es në ardhje të Republikës të Kosovës;

Kryetarit Glauk Konjufca dhe Kryesisë së Kuvendit të Kosovës;

Kuvendarëve të zgjedhur nga populli i Kosovës;

Kryeministrit Albin Kurtit;

Ministres të Mërgatës Donikë Gërvalla;

Valdete Daka, kryetare e Komisionit Zgjedhor të Kosovës (KQZ);

Krerëve të subjekteve politike, opozitë dhe pozitë, të Kosovës;

Avokatit të Popullit;

Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut;

Shoqërisë civile -

Pas konsultimit me përfaqësues të subjekteve politike dhe të shoqatave e klubeve të Mërgatës shqiptare, në disa shtete të Evropës dhe të Amerikës, ju drejtohemi Ju, të emërtuarëve më lartë, zyrtarë dhe deputetë të Parlamentit të Kosovës, që ta shqyrtoni, madje, me urgjencë, nguti, kërkesën tonë, për nxjerrjen e ligjit për votimin e lehtësuar të mërgimtarëve tanë, në vendet ku punojnë dhe jetojnë, pra, jashtë Kosovës. 

Kërkesa e mërgimtarëve, për votimin e lehtësuar në Mërgatë, është refuzuar, shpërfillshëm dhe me arrogancë, nga disa subjekte politike, disa muaj më parë! Skandaloze! Votimi alternativ, me postë, ka hasur në probleme të shumta. Njëri syresh është transporti i fletë-votimeve, përkatësisht, shërbimi postar, vonesat enorme dhe pasiguria totale. Vetëm nga pranimi i 174.000 zarfeve në KQZ, Prishtinë, janë seleksionuar dhe refuzuar 72.000 e disa qindra tjerë, në bllok. Dhe, kjo është abuzive, kriminale. Po rezervohemi për shifrat e skarcimeve dhe skadencave tjera, pas shifrës së parë, të cituar.

Herëve tjera, çështja e votimit në Mërgatë, ka kaluar në heshtje, siç ndodhë, zakonisht, në shtetet rrumpallë! Por, kësaj radhe, pra, në zgjedhjet e fundit, diç po ndryshon. Dhe, kjo nxori në shesh shumë "të palara", fshehtësi të heshtura:

"Njoftohet se fletë-aplikimet kanë ardhur nga 67 shtete të botës, ku punojnë dhe jetojnë mërgimtarët tanë. Qarkullimi postar, në drejtim të Kosovës, lëvizë në kohë periodike: javor, një mujor, tre mujorë, 6 mujorë dhe një herë në vit", - jepen shpjegime nga KQZ. E gjithë kjo ishte mbajtur "top sekret" dhe mërgimtarët, me kot, ishin munduar dhe shpenzuar, duke përcjellur dokumentacion aplikues, për regjistrim dhe votim.

Kudo në botë, në shtetet ligjore, numërimi kohor bëhet nga datimi i dërgesës të një letre, dokumenti, mbi vulën e pullës postare dhe assesi nuk llogaritet data e arritjes në destinacion, KQZ, sepse kjo nuk është në vartësinë e aplikuesit,  përkatësisht, votuesit. Një afatizim i tillë, që bëhet, aktualisht, është alogjik, për të mos thënë idiotesk, kur kemi parasysh lëvizjen breshkore të postës ndërkombëtare, në drejtim të Kosovës.

Edhe shpjegimi belbëzues dhe hutues i KQZ, me afatizimet tmerruese, ka bërë që dokumentacioni votues i mërgimtarëve, të ngelet sirtarëve dhe tavolinave, pa e nisur fare! Lutja e jonë, për ta shtyrë afatin e pranimit, ka qenë "fol e rruaj vo" apo "selam mazgjahut!"

Tashmë, dihet se gjysma e popullsisë të Kosovës jeton në Mërgatë. Në Kosovë votojnë afro 800 mijë vetë. Pothuajse, po kaq votues duhej të ishin edhe nga Mërgata. Prandaj, për ta zbutur, sado pak padrejtësinë, sa të madhe, aq edhe të turpshme, të bërë ndaj Mërgatës, shansi është në dorën Tuaj. Ky është një rast ideal i shtetarëve të Kosovës, ta demantojnë atë thënien e njohur, për regjimet kundra-popullore: "Qeveria bënë çfarë bënë, populli të mos hajë m...!

Urojmë dhe besojmë të jemi të qartë, në kërkesën tonë të ligjshme.

Mbetemi me shpresë mirëkuptimi dhe presim përgjigje të përgjegjshme, në raport me seriozitetin e kërkesës së ngutshme. Mërgata është e anashkaluar, injoruar dhe e poshtëruar, nga zyrtarët bastardë të Atdheut të tyre - Kosovë.

Shpresojmë se votimi me postë, të këtë qenë i fundit, ai i zgjedhjeve të shkuara! 

Duam të besojmë në mirëkuptimin Tuaj!

-   Falë me shëndet dhe plot përmallje nga Mërgata juaj -

Idriz Zeqiraj, zëdhënës i Degës të LDK-së në Gjermani

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat