Atdheu im i shtrenjtë, më i dashuri për mua, në zemrën time do të jetojë përgjithmonë!

Diaspora

Atdheu im i shtrenjtë, më i dashuri për mua, në zemrën time do të jetojë përgjithmonë!

Nga: Emine S. Hoti Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 13:21
Emine S. Hoti

Urime dhe suksese të tjera

Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI, Albani”, Suedi.

I nderuar vëllai ynë, Hysen Ibrahimi,

Të nderuar motra dhe vëllezër, anëtarë të kryesisë dhe të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI, Albani”, Suedi.

Më 20 nëntor 2021, të mbledhur në qytetin Ångelholm të Suedisë, përjetuam me emocion, bashkërisht, festimin e 10-vjetorit të themelimit të Shoqatës sonë të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI, Albani”, Suedi. Ishte një veprimtari e mirë menduar dhe mirë organizuar.

Fjala dhe mendimi i bukur dhe i mençur parapriu gjatë gjithë zhvillimit të veprimtarisë.

Raporti që mbajti kryetari z. Hysen Ibrahimi, pjesëmarrja e anëtarëve të shoqatës në diskutime dhe shfaqja e mendimeve, përshëndetjet drejtuar shoqatës nga anëtarë nderi dhe nga personalitete të kulturës, artit dhe të letërsisë nga vende të ndryshme të botës, si dhe harmonizimi i veprimtarisë me recitime, këngë, fotografi - kujtime të paharruara dhe episode të tjera mbresëlënëse, të gjitha këto na krijuan më shumë emocion,duke zgjuar tek ne energji të reja që, edhe ne, ashtu sikurse të gjithë atdhetarët e vërtetë, të vendosim në ngrehinën e atdheut qoftë edhe një gurë themeli të fortë.E, siç thotë në shekuj populli ynë:”Gur,gur, bëhet kalaja.” E unë do të shtoja se nuk ka kala më të fuqishme sesa ne shqiptarët e bashkuar. Këtë na e ka treguar mbi pesë shekuj më parë heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, kur me shqiptarët trima, të bashkuar dhe të vendosur u bëri ballë tri rrethimeve të Krujës, kur ajo kështjellë legjendare sulmohej nga ushtritë më të fuqishme të botës dhe nga dy sulltanët më të mëdhenj që ka njohur historia.

Shembulli i një shigjete të vetme, që u thye menjëherë dhe, shembulli i tufës së shigjetave të pathyeshme, që Skënderbeu u mësoi bashkëluftëtarëve të tij, na duket se është e nevojshme edhe sot e kurdoherë.

Të bashkuar, shqiptarët zemërbukur, paqësorë e humanë, janë kurdoherë të fuqishëm ndaj çdo lloj force e fuqie.

Sukseset e arritura na e shtuan edhe më shumë dëshirën për të vijuar me më shumë entuziazëm dhe suksesshëm veprimtaritë në vazhdim, sidomos ato për kulturën, arsimin, aspektet social-psikologjike dhe atdhetare.

Këtu u vlerësua me seriozitet puna e anëtarëve të shoqatës dhe, të gjithë kuptuam edhe një herë tjetër se përpjekjet tona i kanë shërbyer misionit të madh të shoqatës sonë, e cila ka punuar me tërë energjitë e saj për kulturën tonë kombëtare, për arsimin dhe traditën shqiptare, por dhe për integrimin tonë si mërgimtarë me popujt e shteteve mikpritëse të Suedisë dhe të Norvegjisë.

Të mbledhur të gjithë bashkë, me një mendim dhe veprim aktiv e atdhëtar, ne kuptuam sesa rëndësi ka bashkimi dhe veprimtaritë e përbashkëta, për arritjen e synimeve tona. Janë mësime këto të çmuara, që populli ynë i ka treguar në shekuj dhe që, doemos, me kalimin e kohës, ato kanë ardhur duke u rritur. E treguan këtë edhe diskutimet, por edhe përpjekjet tona të vazhdueshme, veçanërisht për arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve me gjuhën e bukur shqipe, me shkrimin shqip, që ai të ruhet në vazhdimësi te brezat e ardhshëm, duke rritur e trashëguar vlerat dhe identitetin kombëtar si shqiptarë brez pas brezi.

Të gjithë ne që ishim pjesëmarrës në atë festim madhështor të shoqatës, jemi njerëz të fjalës, por edhe të penës. Ne erdhëm aty me vepra të botuara, që kanë pasur dhe kanë në qendër atdhetarizmin tonë të spikatur, por edhe dëshirën që fëmijët dhe brezat e rinj të trashëgojnë vlerat më të mira të kombit tonë të shkëlqyer, duke përvetësuar edhe praktikisht vargjet e arta të poezisë “Ku kemi lerë” të rilindësit tonë të madh Andon Zako Çajupi”:

“Ne ç'vend kemi lerë?/Ku na bëjnë nderë?-Në Shqipëri”.
“Ku i duket balta/m'e e embël se mjalta? -Në vend të tij”.
“Ku munt të gëzojë/dhe me nder të rrojë? -Në Shqipëri”.

Personalisht, krahas veprave të botuara me theks atdhetarë, arismorë e kulturorë, krahas pasionit tim si stiliste, prerje, qepje dhe dhurim veshjesh kombëtare, kam pasur edhe privilegjin që në shumë nga veprimtaritë e shoqatës kam qenë pjesëmarrëse aktive, si në festivalet poetike të zhvilluara, në sesionet shkencore, me artikujt dhe krijimet e mia poetike, por edhe në veprimtari të tjera të zhvilluara nga shoqata jonë në Suedi, Kosovë, në Shqipëri etj.

20 nëntor 2021, 10 - vjetori i krijimit të Shoqatës së Shkimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI, Albani”, Suedi

Në të gjitha veprimtaritë e zhvilluara, kam kosntatuar një dëshirë të madhe të anëtarëve të shoqatës për të kontribuar, por edhe një vizion dhe aftësi drejtuese dhe organizuese të kryesisë së shoqatës dhe të kryetarit tonë z. Hysen Ibrahimi, i cili u ka qëndruar vazhdimisht në krye punëve, duke udhëhequr me shembullin e tij veprimtaritë e, sidomos kujdesi i tij dhe i kryesisë për hartimin e veprës më përfaqësuese të shoqatës sonë “Thesari kombëtar”, i cili, me 11 botimet e tij përbën një kontribut të çmuar të shqiptarisë, kulturës dhe arsimimit të mërgimtarëve tanë, integrimit të tyre, por ai është, siç u tha me të drejtë në tubim, edhe një enciklopedi e vërtetë temash, subjektesh, episodesh, plan - programesh, veprimtarish konkrete në shërbim të misionit të madhe atdhetar, kulturor e arsimor të shoqatës.

Z.Hysen Ibrahimi foli dhe vlerësoi lart veprat e mia dhe për këtë ndjej falenderime dhe mirënjohje, por edhe dëshiroj të theksoj se gjithçka e kam bërë nga dashuria e madhe që kam për atdheun dhe kombin, të cilin dëshiroj ta shikoj të bashkuar dhe të fuqishëm si dhe çdo komb tjetër të përparuar e bashkëkohor.

Kështu ne çojmë edhe më përpara amanetin e rilindësve tanë të shquar, veprën dhe sakrificat e tyre për lirinë, pavarësinë dhe begatinë e atdheut.

Ndër dëshirat e mia është që të mbrojmë gjuhën tonë shqipe dhe ta zhvillojme atë në të gjitha skajet e mërgatës sonë, tek të gjithë brezat dhe sidomos te fëmijët tanë, të cilët fjalët e para “bukë” dhe “qumësht” i mësojnë fillimisht shqip, ashtu sikurse mësojnë edhe fjalët “nënë”, “baba”, “liri” e “atdhe”. Rrënjët tona janë atdheu, janë të rinjtë dhe fëmijët tanë.

Vlerësimi juaj për kontributin tim si stiliste dhe si autore e disa librave me qendër dashurinë për atdheun, janë një nxitje tjetër për mua, që të krijojë edhe më shumë vepra në dobi të arsimit, kulturës, traditave të mrekullueshme shqiptare, duke synuar akoma më shumë si stiliste dhuruese, që është dhe pasioni im i veçantë.

Unë ju falënderoj për prezantimin nga ana juaj të 12 botimeve të mia letrare-publicistike dhe atdhetare, por pata kënaqësinë e dyfishtë edhe sepse aty mora pjesë edhe si gjyshe, së bashku me mbesën time Bertinën dhe të dy nipat Edwardin dhe Lorianin. Ata më nderuan mua dhe krijuan emocion dhe kënaqësi mes të pranishmëve, veçanërisht kur recituan poezinë e krijuar nga unë gjyshja e tyre, të titulluar “Unë jam fëmijë”.

Me ndjenjën e respektit ndaj jush, zoti kryetar dhe të gjithë anëtarëve të Shoqatës sonë të Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI, Albani”, Suedi, po radhit në vazhdim vargjet e poezisë: “Unë jam fëmijë”.

Mbesa Bertina Imeri, 10 vjeçe dhe, dy nipat: Edward Krasniqi, 11 vjeç dhe, Lorian Imeri, 11 vjeç, duke recituar poezinë.

Unë jam fëmijë

Unë jam fëmijë, po në mendje e në zemër,

Jam shqiponjë lirie,

Shqiptar u linda, u ushqeva me qumësht nëne,

U rrita me këngë trimërie.

Nëna ime shtrenjtë,

Rrënjët e lashta ilire më tregoi,

U përkujdes të dua heronjtë e dëshmorët,

T`i kem për jetë amanet, të mos i harrojë.

Historitë e vendit tim të nderojë,

Shqipërinë, Dardaninë, gjithë trojet shqiptare,

Aty ku janë rrënjët, aty ku është gjaku,

Aty ku valvitet flamuri, ku fluturon shqipja krenare.

Jam zog feniks, jam bir i shqipes,

Jam bir shqiptari, kënga ime e zemrës jehonë,

Atdheu im i shtrenjtë, më i dashuri për mua,

Në zemrën time do të jetojë përgjithmonë!

Pjesëmarrja në këtë veprimtari jubilare e mbesës dhe e dy nipave të mi, është një shans tjetër i vazhdimësisë së veprimtarisë sime aktive në shoqatë, por edhe trashëgim i emrit dhe i vlerave më të mira të misionit të shoqatës te brezat e ardhëshëm.

Faleminderit z. Hysen Ibrahimi dhe ju motra dhe vëllezër!

U takofshim gjithnjë me suksese të reja në jubile të begatë e mbresëlënës si dhe me vlera të mëdha për humanizmin, kulturën, arsimin dhe shqiptarizmin.

Me shumë respekt,

Emine S. Hoti

Anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI, Albani”, Suedi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat