Vdiq veprimtari i madh i çështjes kombëtare Fejzë Halili

Diaspora

Vdiq veprimtari i madh i çështjes kombëtare Fejzë Halili

Nga: Xhavit Çitaku Më: 14 janar 2023 Në ora: 11:59
Fejzë Halili

Dje në moshën 79 vjeçare në Limared të Suedisë vdiq veprimtari i madh i çështjes kombëtare Fejzë Halili. Mërgata shqiptare në këtë vend skandinav është krenare që në mesin e saj kishte një patriot që i rrahte zemra fort për komb e atdhe. Thënë me gjuhën e fakteve ky personalitet i vyer do të mbetët përherë në kujtesën e bashkatdhetarëve tanë jo vetëm në Suedi për shkak se ai pas vetës la vepra të mëdha në interes dhe dobi të komunitetit shqiptar, por edhe funksionimit, sidomos, të shkollës shqipe në Kosovën e okupuar nga regjimi serb i Milosheviqit, sepse me vite të tëra ka udhëhequr me sukses Fondin e Trepërqindshit i themeluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në Ekzil, deri sa për shkaqe shëndetësore u desht të tërhiqej, por gjithnjë i lidhur ngusht me mërgimtarë, duke iu dhënë këshilla e sugjerime për punë e angazhim, në rend të parë, atdhetar. Ai një kohë ishte edhe Kryetar i Degës së LDK në Suedi dhe një bashkëpunëtar i ngusht i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Pra, dashuria dhe pasioni për punë kombëtare, Fejzë Halilin e rreshtojnë në një ndër personalitet e njohura në mërgatën shqiptare në këtë vend të largët. Ai diti me plot kulturë e atdhetarizem të bënte edhe shumë punë të tjera të dobishme, atje ku duhej dhe kur duhej. Shi për këtë, ai gjithnjë pati përktahje të madhe nga mërgimtarët, të cilët ishin të bindur në këshillat, sugjerimet dhe aktivitetin që duhet zhvilluar. Thënë konkretisht, Fejzë Halili me një vullnet e entuziazëm të madh diti të organizoj komunitetin shqiptar për t’u inkuadruar masivisht në pagesën e trepërqindshit, në sensibilizimin e situatës së rëndë që mbretëronte në atë kohë nga veprimet çnjerëzore barbare serbe, komunitet ky që pa u ndalur protestonte në të gjitha mjediset ku banonin shqiptarët, pastaj në grumbullimin e ndihmave për të ndihmuar njerëzit që kishin nevojë në Kosovë, ndërkaq duke qenë një bashkëpunëtor i mirëfilltë ai u angazhua pandërprerë për një punë të përbashkët të të gjithë shqiptarëve pavarësisht bindjeve të tyre politike si dhe kreu edhe shumë punë të tjera me vlerë. Kjo figurë e ndritur në mërgatën shqiptare në Suedi e dëshmoi atdhetarizmin edhe në Kosovë si një minator me vlera të mëdha patriotike sidomos kur me kolegët e tij u ngujuan në zgafellën e Stantergut dhe tronditën themelet e ish- Jugosllavisë dhe alarmuan Bashkësinë Ndërkombëtare se pa zgjidhjen e problemit të Kosovës paqë nuk Ballkan nuk do të këtë.

Vepra dhe puna e tij e madhe, padyshim se do të mbetët gjatë në kujtesë jo vetëm për ata që e njohën për së afërmi, por edhe në gjithë mërgatën shqiptare, për të cilën shërbeu pa u lodhur deri në frymën e fundit.

Veprimtar i patundur, fisnik, i urtë dhe i mençur

Veprimtari, shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi i liçencuar Prof. Fetah Bahtiri me pikëllim të madh priti lajmin për vdekjen e Fejzë Halilit, për të cilin thotë se për herë të parë e kishte takuar në vitin 1991, atëherë kur erdhi në Suedi si azilkërkues, për shtuar: “Menjëherë kam filluar bashkëpunimin me të pasi që ai ishte i kyqur më herët në organizimet shqiptare. Aktiviteti i parë në të cilin Fejza me angazhoi ishin përgatitjet për organizimin e votimeve për Referendum që u mbajtën në kohën 26- 30 shtator 1991, për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Nga kjo kohë bashkëpunimi me këtë veprimtar të devotshëm ishte i thellë për të mirën e komunitetit dhe të atdheut. Fejzë Halili ishte kryetar i Degës së LDK-së e më vonë Kryetar i Fondit të Trepërqindshit për këtë vend skandinav, me të cilat mjete jetonte Kosova e okupuar dhe financoheshin organet paralele në atdheun tonë. Në qenien e tij dhe në veprimtarinë e tij, Fejza ishte një person fisnik, i sinqert dhe besnik. Ishin këto virtyte të larta njerëzore që me bënë ta doja, ta respektoja dhe të bashkëpunoja tërë kohën me të. Ikja e tij e hershme për në amshim me pikëlloi shumë, ndërsa mërgatës shqiptare iu thye një krah i fort veprimtarie”, tha ndër të tjera Prof. Fetah Bahtiri.

Veprimtari dhe kryetari aktual i SHSHASH “ Papa Klementi i XI Albani” Hysen Ibrahimi me lot në sy shprehi pikëllimin e tij të thellë për vdekjen e këtij veprimtari të madh duke shtuar: Fejzë Halili bir Kosove, djep i mërgatës shqiptare në Suedi, me virtyte morali e patriotizmi të lartë, mbylli sytë përgjithmonë dhe pikëlloi jo vetëm mua, por tërë komunitetin shqiptar në këtë vend të largët. Burrat e destinuar për histori, që shpirtëzojnë legjendën e krenarisë së një kombi, rrojnë dhe vdesin të mëdhenjë sikurse Fejzë Halili. Kam bashkëpunuar kohë të gjatë me të, sidomos, sa isha anëtar i Kryesisë të Fondit të Trepërqindshit, ndërsa ai ishte kryetar dhe tek Fejzë Halili gjeta burrin shqiptar të patundur, fisnik, të urtë, të mençur.

Edhe veprimtari, sidomos, i arsimit shqip në Suedi, Prof. Osman Ahmetgjekaj shprehi keqardhjen e tij të thellë me rastin e shkuarjes në amshim të Fejzë Halilit: Fejza ishte korrekt me bashkëpunëtor anëkënd Suedisë, nuk e injoronte askë pavarësisht nivelit arsimor dhe gjithnjë kishte besim në të vërtetën si dhe ka sakrifikuar shumë për të mirën e kombit dhe atdheut. Puna dhe veprimtara e tij është një shembull për brezat që vijnë mbi nevojën e vlerësimit dhe respektit jo vetëm për këtë njeri, i cili është dalluar gjithnjë për aktivitetin dhe ndihmën e tij në pasurimin e shumë fushave me interes për komunitetin dhe tabanit kombëtar. Me një fjalë, veprimtaria e tij shumë e pasur e me vlerë e bëjnë këtë personalitet dhe veprat e tij të mbesin një kujtim i çmuar për gjithë atë periudhë të lënë pas dhe në të njëjtën kohë homazh ndaj kësaj figure madhore në mërgatën shqiptare.

Me rastin e vdekjes së Fejzë Halilit telegram ngushëllimi i dërgoi Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “ Papa Klementi i XI Albani”, duke u lutur që të dashurit dhe të afërmit të kenë forcë për të përballuar këtë humbje të madhe familjare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat