Tradita dhe ushqimi autokton në binarët e diplomacisë aktive të Kosovës në itali

Diaspora

Tradita dhe ushqimi autokton në binarët e diplomacisë aktive të Kosovës në itali

Nga: Gëzim Muçolli Më: 28 qershor 2024 Në ora: 14:00
Pamje nga vendi i ngjarjes

Çdo manifestim i organizuar nga mërgata shqiptare në Itali, ka arritur të krijojë një efekt të mirë në mesin e njerëzve që kanë marrë pjesë në të, duke ndihmuar të kuptohet vendi i prejardhjes dhe në forcimin e lidhjeve shoqërore me promovimin e kulturës sonë.

Pandalshëm  me angazhimin e veprimtarëve që më shumë se tri dekada shkrinë mundin dhe dijen e tyre, u arrit që të orientohen energjitë në përhapjen e dimensionit kultural dhe të njohjes së mirë, në çdo vend ku ata tashmë janë shkrirë midis vendësve duke krijuar një realitet të ri qytetar, shoqëror dhe ambiental.

Momentet më të veçanta për ta promovuar vlerën e komunitetit janë dëshmuar organizimet festive, që kanë krijuar edhe realitet të ri dhe janë bërë pjesë e kalendarit kulturor vjetor të shumë qyteteve italiane.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një ndër regjionet italiane më të përmendura ku mërgata shqiptare ka kohë që ka krijuar një bazë të qëndrueshme të ruajtjes së kulturës identitare është Veneto.

Aty ka shkuar duke u forcuar edhe vlera e saj krahas kushteve ekonomike që ka kjo zonë si dhe për faktin që gërshetimi i trashëgimisë së traditave shqiptare dhe arritjeve kulturore të ambientit mikpritës ka mundësuar një integrim të plotë dhe duke fshirë vijat e trasha të dallimeve dhe diferencimit duke i lënë vend pranimit dhe mirëkuptimit midis kulturave.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një nga vendet kryesore të kuptimit dhe realizimit të këtij integrimi ndërkulturor në hartat e migrimit tonë është Treviso, ku integrimi ka kaluar edhe mbi problemet e vërteta të shoqërisë italiane duke thyer edhe barrierat e fundit të një ambienti politik, që u tregua fillimisht mjaft i ashpër dhe mospranues ndaj valëve të imigracionit që e kanë vërshuar gadishullin Appenin, ku Italia shihet herë si vend më i lehtë në UE për t’u pajisur me dokumenta, e herë si vend tranziti drejt një destinacioni më favorizues social dhe ekonomik në vendet e Europës veriore.

Integrimi fillon nga individët dhe jo rastësisht, shembulli i mirë i komunitetit shqiptar në këtë anë lidhet edhe me komunën Quinto di Treviso e cila njihet edhe si bosht i shumicës së aktiviteteve të mbajtura në dekadën e fundit. Shkolla e mësimit plotësues në gjuhën shqipe e cila për shumë vite krijoi imazhin komplet të edukimit të fëmijëve me vlera kombëtare si dhe Shoqata Kulturore “Shën Nëna Tereze” janë të lidhura me emrin e njërit nga veprimtarët më të dalluar të mërgatës shqiptare, profesor Bajram Deskut, i cili me shokët e tij krijoi një model të hapur qëndrueshëm të integrimit social dhe kulturor si dhe të ruajtjes së traditës autoktone shqiptare.

Shoqata “Shën Nëna Tereze” nga Quinto di Treviso, vargut të aktiviteteve të realizuara, këtë vit ia shtoi edhe një projekt multidimensional me efekte të njohjes së vlerave të vendlindjes gjegjësisht të traditave kombëtare. Në mbledhjet parapërgatitëse kryetari Bajram Desku kishte ftuar edhe prijësit e shoqatave tjera kulturore që veprojnë në regjionin Veneto, me qëllim që puna e filluar të kishte sukses.

Këtij projekti kulturor me ftesë të organizatorit, iu bashkangjit edhe z. Diamant Kastrati, Konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Milano, i cili vuri në dispozicion komplet përkrahjen shoqërore, materiale dhe logjistike duke krijuar kushtet për prezentimin sa më të mirë të shtetit të Kosovës.

Pas përgatitjeve serioze në fillim të qershorit në kuadër të shënimit të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, me patronatin e Konzullatës së përgjithshme të Republikës së Kosovës në Milano, u mbajt Panairi i Kulturës, Traditës dhe Ushqimeve Tradicionale Shqiptare në fushën e sporteve pranë Kishës San Giorgio në Quinto di Treviso.

Për të marrë pjesë në këtë ngarje të rëndësishme kulturore kishin ardhur disa qindra bashkëkombas shqiptarë nga tërë regjioni i Venetos. Jehonë të veçantë i kishte dhënë pjesëmarrja aktive e  pesë shoqatave kulturore shqiptare nga ky regjion: “Shën Nëna Tereze” nga Quinto di Treviso, “Bashkimi Kombëtar” nga Bassano del Grappa, “Dardania” nga Montebelluna, “Ardhmëria” nga Arzignano dhe “Kosova” nga Portogruaro.

Hapja e Panairit u bë me një aktivitet simbolik pranë shtatores së Nënës Tereze në via G. Marconi 31 në Quinto di Treviso, ku u bë përurimi i  të sheshit të rregulluar rreth shtatores nga veprimtarët-afaristë të dalluar të Shoqatës kulturore  “Shën Nëna Tereze”.

Në ambient festiv në prani të shumë mysafirëve u bë mbjellja e një peme të ullirit, si simbol i paqes që bashkon edhe kuptime si jeta dhe rilindja dhe është konsideruar gjithmonë një emblemë e paqes. Mbjelljen e bënë së bashku z. Diamant Kastrati, konsull i përgjithshëm ,Don Stefano Bressan kryeprifti nga Parrokia e Quintos dhe Bajram Desku kryetar i Shoqatës “Nëna Terezë”.

Nga këtu të pranishmit vazhduan në këmbë deri te ambientet e Panairit te fusha e sporteve te Kisha e Quintos,ku pas ndëgjimit të himnit të Republikës së Kosovës, atij kombëtar dhe himnit italian, hapjen solemne e bëri z.Diamant Kastrati. Ai falenderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje si dhe foli me vlerësim për punën e bërë nga pesë shoqatat bashkëorganizatore të panairit.

Duke falenderuar edhe Don Stefano-n për përkrahjen e vazhdueshme të Parrokias duke i dhënë hapësirë realizimit të projekteve të shoqatës “Shën Nëna Terezë”, konsulli Kastrati përshëndeti me radhë edhe autoritetet si Kryetaren e komunës Quinto di Treviso znj. Stefania Sartori,e cila kishte ardhur së bashku me dy kundërkandidatët tjerë për poziten e kryetarit të komunes në Quinto di Treviso, z. Duringon Ivano dhe z. Luca Miglioranza, meqenëse ishte koha para zgjedhjeve të ardhshme komunale.

Me fjalë mirëseardhjeje iu drejtua edhe mysafirëve tjerë të respektuar që ishin  të pranishëm si z. Fadil Gashi, kryetar i Kuvendit të Komunës së Klinës (e cila është në proces të binjakëzimit me Komunen Quinto di Treviso), Drejtori për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Klinës z. Enver Berisha, Diplomatja nga Ambasada e Kosovës në Romë znj. Gentiana Sopi, Konsullja e Përgjithshme e Maqedonisë së Veriut në Venecia znj. Frosina Remenski, së bashku me zëvëndëskonsullin Xhelal Memed, kandidati për deputet në Parlamentin Evropian nga Venecia z. Muharrem Salihu (Marco),pastaj Grupi i valleve "Iliria" në Veneto, Grupi Valleve “Bajram Curri”, Shoqata kulturore “Zëri Atdheut” në Reggio Emilia, Federata Kombëtare e Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI) në Brescia, Shoqata kulturore “Ardhmëria”  në Bolzano, Shoqata shqiptare në Poreç të Kroacisë, si dhe shumë veprimtarë të shquar nga kjo pjesë e Italisë.

Poashtu për të marrë pjesë në këtë manifestim kulturor kishin bërë goxha rrugë edhe veprimtari në diasporë dhe patrioti i shquar Heset Ahmeti, kryetarë i Shoqates ”Iliria" nga Kopri i Sllovenisë i shoqëruar nga miku i madh i shqiptarve, intelektuali slloven z.Pjetër Shtoka i cili ka shkruar disa libra për historinë mesjetare të shqiptarëve, si dhe nga Altöttingu i Gjermanisë familja Kurti me Grupin e Pavarur Artistik ”Drenica".

Fjalë mirënjohëse plot respekt konsulli i përgjithshëm Diamant Kastrati pati edhe për disa ndërmarrës të shquar nga Kosova, që jetojnë dhe veprojnë në Provincen e Trevisos që kontribuan direkt në këtë organizim kaq të mirë, siç është kompania Impresa Edile AZ Costruzioni e z. Hetem Zogaj, Impresa Edile Bashota dhe Jeta Market, si dhe mikun e madh të shqiptarëve, ndërmarrësin italian nga kjo komunë z.Mario Catterin, pronar i Fabrikës së pompave me piston. Po ashtu, organizimi i Panairit u ndihmua nga veprimtarët e dalluar të shoqatës së Quintos dhe shumë individ e kompani tjera.

Në këtë manifestim ishin prezent edhe grupe artistike e shoqata shqipëtare nga pjesët e ndryshme të Italisë.

Në kuadër të Panairit të kulturës, traditës dhe ushqimeve tradicionale shqiptare në Provincen e Trevisos, me qëllim të promovimit të produkteve ‘Made in Kosova’ Konsullata e përgjithshme ka organizuar ekspozimi i produkteve kosovare në ambientet ku pjesëmarrësit e shumtë kanë pasur mundësi të degustojnë verëra të Kosovës (nga prodhuesit Budrumi i Vjetër, Stone Castle dhe Labi) dhe lëngjet (të kompanive Frutex dhe Golden Eagle).

Konsulli Kastrati e shfrytëzoj rastin që të apelojë tek diaspora jonë, që janë shtetas të Kosovës, për ta kryer regjistrimin online si pjesë e Regjistrimit të Popullsisë 2024 në Kosovë pasi afati për regjistrimin e diasporës eshte zgjatur për tre muaj, kurse regjistrimi i bashkatdhetarëve  do të mundësoj që institucionet e Kosoves ti planifikojnë politikat e tyre varesisht nga numri i diaspores së regjistruar në Itali.

Shoqatat kulturore që morën pjesë si bashkorganizatore kishin sjellur specialitetet të kuzhinës autoktone shqiptare si dhe morën pjesë në programin artistik me nxënësit e dalluar të tyre si këngëtarë dhe valltarë të shëlqyeshëm.

Për organizimin e mirë të panairit dhe për punën e tyre të vazhdueshme në organizimin e veprimtarive kulturore në qytetet ku jetojnë dhe veprojnë, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Milano i nderoi me nga një mirënjohje të veçantë të pesë shoqatat të cilat i morën kryetarët e tyre.

Në një atmosferë të shkëlqyeshme plot me këngë e valle folklorike të pranishmit i përshëndetën edhe disa nga mysfirët e nderuar si dhe konsullja e Kosovës nga Roma, zonja Gentiana Sopi e cila e motivuar nga 25 vjetori i çlirimit të Kosoves,shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në luftë si dhe në shtet ndërtim dhe për shtetin e lirinë që ne sot e gëzojmë. Poashtu, znj. Sopi  përcolli edhe përshëndetjen e ambasadores së Kosovës në Romë si dhe shprehu dëshirën që panaire të tilla të organizohen në të ardhmen edhe në Romë e Milano.

Kryetari i Shoqatës Bashkimi Kombëtar” nga Bassano del Grappa z. Ragip Thaqi poashtu i përshëndeti të pranishmit dhe  kishte ardhur me komplet kryesinë si  dhe grupi i prinderve me nxënës te cilet u prezentuan me veshje kombetare si dhe luajtën valle me motive autoktone të pergatitur nga koreografët Vezir Gashi dhe Mentor Hajrizaj.

Nga shoqata kulturore “Dardanija” nga Montebelluna përshëndeti  kryetari z. Faik Tafolli i cili foli për veprimtarinë dhe sukseset e kësaj shoqate dhe falenderoi edhe nxënësit e shkollës shqipe të kësaj shoqate që kënduan (Kaltrina Haradini) dhe vallëzuan (Greta Krasniqi dhe Erblina Kurti) si dhe grupin e Rapsodëve të prirë nga Feim Graishta.

Bajram Desku , kryetar i shoqatës kulturore “Shën Nëna Terezë” në cilësinë e mikpritësit kishte pranë vetes shumë nga anëtarët e  dalluar të shoqatës që tashmë janë të njohur për kontributin e tyre si nënkryetari Hetem Zogaj, pastaj z. Ramiz Gashi, z. Nazim Morina, z. Bekim Spahiu, z. Njazi Pirku, z. Samet Lika, z. Murat Bytyçi si dhe përfaqësues të kompanive të tjera. Poashtu edhe dhe z. Albert Bashota për ndihmen e pakursyer, së bashku me grupin e të rinjëve që punojnë në kompaninë e tij (z. Sabit Bashota, z. Urim Nuhaj, z. Ardian Dodaj, z. Dinë Bashota, z. Arxhend Bashota dhe z. Arber Bashota).

Kryetari i shoqatës “Ardhmëria” nga Arzignano e Viçencës z.Kujtim Sadiku bashkë me kryesinë e shoqatës kishin sjellur specialitete të kuzhinës shqiptare të gatuara nga familjet që përkrahin përherë aktivitetet e kësaj shoqate.

Gratë duararta të Trevizos si dhe ato të shoqatave tjera në menynë e tyre kishin përgatitur dhe sjellë në Panair ushqime të dalluara nga tradita jonë si psh: Flija, Lakror, Pite, Petulla, Llokume. Bukë misri, Gurabija

Bukë pogaqe, Mazë dhe Lëng djathi në enët nga dheu, Torta të ndryshme, Krelanë të kallamojtë, Pite, Torte ravani, Pite me rreth.Kurse nga Padova specialitet i veçantë ishte Bakllavaja e përgatitur nga zonja Valdete Llumnica - Muçolli sipas reçetës tradicionale me arra dhe sherbet.

Në panair pati edhe libra të autorëve nga mërgata : Faik Tafolli dhe Afërdita Bashota-Podvorica që plotësuan edhe elementin letrar të këtij manifestimi kulturor.

Gjithë manifestimin e moderoi me kujdes dhe spontanitet Gëzim Muçolli, veprimtar nga Padova  dhe bashkëpuntori i shoqatës “Shën Nëna Tereze”.

Edhe këtë herë, duke u nisur nga përvoja e organizimit tematik të këtij Panairi i cili do të bëhet tradicional, u pa se veprimtaria e shoqatave kulturore është jetike për ruajtjen e traditës dhe kulturës sonë në vende të huaja, aty ku duket se sa e vogël është bota edhe pse plot me dallime kulturore sepse traditat janë ato që na përfaqësojnë, lidhin dhe bashkojnë

Shembuj të shumtë nga kujtesa historike na tregojnë se duke respektuar mes veti traditat e njerëzve tonë bashkë me vlerësimin tonë për çdo kulturë  të ndryshme ne tregojmë se dijmë të ndajmë përvojat e tyre dhe të krijojmë kusht mirëkuptimi dhe respekti të ndërsjellë.

Edhe ky manifestim kulturor dëshmoi se ushqimi është gjithashtu një fakt kulturor dhe social, i pasur në kuptim dhe vlerësimi maksimal i traditës është thelbësor për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe nxitjen e mirëkuptimit ndërmjet popujve të ndryshëm.

Këto tradita bazohen te një ndjenjë identiteti dhe përkatësie që ndihmon në formimin e kulturës dhe jetës sonë dhe mund të përcillen nëpër familje për breza, si përkujtues se kush jemi dhe lidhjen tonë me të kaluarën.

Gjithëmonë duke vlerësuar traditat, ne nderojmë edhe  njerëzit që erdhën përpara nesh në mërgatë  dhe përpjekjet me të cilat u përballën për të përmirësuar jetën tonë. Kjo gjithashtu ndihmon brezat e rinj për t'u lidhur me rrënjët tona kulturore.

Prandaj edhe Panairi i traditës, kulturës dhe ushqimit shqiptar i cili i dha shkëlqimin festimit  të 25 vjetorit të lirisë së Republikës së Kosovës, do të kujtohet si sukses i merituar i bashkëpunimit të diplomacisë kosovare dhe mërgatës shqiptare në Itali dhe shembulli i diplomatit kosovar Diamant Kastrati si model pune që nuk duhet ndërprerë asnjëherë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat