Lazim Destani mirëpret ambasadorët shqiptarë në kompaninë Ecolog

Diaspora

Lazim Destani mirëpret ambasadorët shqiptarë në kompaninë Ecolog

Më: 23 prill 2025 Në ora: 00:20
Foto nga takimi

Në selinë e kompanisë ndërkombëtare Ecolog International, me qendër në Dubai, themeluesi dhe pronari i saj, z. Lazim Destani, priti në një vizitë miqësore tre ambasadorët shqiptarë të akredituar në Emiratet e Bashkuara Arabe.​

Të pranishëm në këtë takim ishin z. Abdylkadër Memedi, Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.Ridi Kurtezi, Ambasador i Republikës së Shqipërisë dhe z.Xhabir Hamiti, Ambasador i Republikës së Kosovës.​

Krahas bisedave miqësore u diskutuan edhe çështje të rëndësishme me interes të përbashkët, veçanërisht ato që lidhen me mundësitë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve ndërmjet Emirateve dhe vendeve të rajonit tonë.​

Në fjalën e tij, z. Destani falënderoi ambasadorët për kontributin e tyre të vyer në forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike, duke theksuar se diaspora shqiptare në Emiratet e Bashkuara Arabe përbën një urë të fortë lidhëse mes Lindjes së Mesme dhe trojeve shqiptare.​

“Për mua është gjithmonë një kënaqësi e veçantë të mirëpres përfaqësuesit diplomatikë të vendeve tona. Këto takime na motivojnë të punojmë edhe më shumë për ndërtimin e urave të bashkëpunimit me qëllim zhvillimin ekonomik dhe përparimin e rajonit,” u shpreh z. Destani.​

Ambasadorët, nga ana e tyre, shprehën vlerësimin për punën dhe suksesin e z. Destani në përfaqësimin e denjë të vlerave shqiptare në biznesin ndërkombëtar, si dhe për kontributin e tij të vazhdueshëm në projekte zhvillimore dhe humanitare.​

Ky takim vjen si një dëshmi tjetër e bashkëpunimit të frytshëm midis diplomacisë dhe diasporës shqiptare në Emiratet e Bashkuara Arabe, me synim krijimin e mundësive të reja për partneritet dhe investime.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat