Shkolla Shqipe në Drammen feston 17 Shkurtin me krenari

Diaspora

Shkolla Shqipe në Drammen feston 17 Shkurtin me krenari

Nga: Shefqet Avdimetaj Më: 14 shkurt 2026 Në ora: 13:15
Foto ilustrim

Shkolla Shqipe në Drammen, e themeluar katër vite më parë me përkushtim të veçantë për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, organizoi një manifestim solemn për nder të 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Aktiviteti u mbajt nën patronatin e Ambasadës së Republikës së Kosovës, ndërsa organizatorë ishin arsimtarët Arben Ramadani nga Presheva dhe Vjollca Zeqiri Asllani.

Kjo mbrëmje festive u nderua me pjesëmarrjen e znj. Nita Luci, Ambasadore e Republikës së Kosovës në Norvegji, si dhe z. Driton Kuqi, Ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Norvegji, të cilët me prezencën e tyre e bënë edhe më madhështore këtë ngjarje. Përveç tyre, në sallë ishin të pranishëm edhe shumë bashkatdhetarë, prindër, mësues, nxënës dhe veprimtarë të komunitetit shqiptar.

Programi artistik u hap me paraqitjen e korit të fëmijëve, të cilët përmes recitimeve dhe valleve tradicionale sollën emocione të forta te të pranishmit. Me interpretimin e tyre plot ndjenjë, fëmijët përcollën mesazhin e dashurisë për atdheun dhe krenarisë kombëtare. Atmosfera ishte aq prekëse, sa shumë nga të pranishmit nuk arritën t’i fshehin lotët e mallëngjimit.

Manifestimi u gjallërua edhe më tej nga këngëtari i njohur Visar Peja, i cili me interpretimet e tij krijoi një frymë uniteti dhe gëzimi mes të pranishmëve.

Një moment i veçantë dhe mjaft emocionues ishte paraqitja e vajzës 7-vjeçare, Frida Bujupaj, e cila me interpretimin e saj të sinqertë dhe plot shpirt preku zemrat e të gjithëve, duke u shndërruar në simbol të shpresës dhe vazhdimësisë së brezave.

Ky manifestim në Drammen ishte më shumë se një festë, ishte një dëshmi e gjallë se shqiptarët, edhe larg atdheut, dinë të ruajnë gjuhën, kulturën dhe dashurinë për Kosovën dhe kombin. 17 Shkurti u shënua me dinjitet, krenari dhe emocione që do të mbeten gjatë në kujtesën e të pranishmëve. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat