Protesta e tretë kombëtare “No Kings” në New York: Mijëra demonstrues mbushin Times Square

Diaspora

Protesta e tretë kombëtare “No Kings” në New York: Mijëra demonstrues mbushin Times Square

Nga: Beqir Sina - New York City Më: 29 mars 2026 Në ora: 17:44
Pamje nga protesta

Mijëra demonstrues nga e gjithë Zona Tri-State u mblodhën dje në Manhattan për protestën e tretë kombëtare “No Kings” (Pa Mbretër). Marshimi, që filloi rreth orës 14:00 nga Columbus Circle dhe Central Park South, u drejtua në jug përmes Seventh Avenue dhe Broadway, duke kaluar nëpër Times Square dhe duke përfunduar pranë Pennsylvania Station në 34th Street.

Protestuesit mbanin parulla me slogane si “No Kings – Power to the People”, “Stop the War in Iran” dhe “ICE Out of Our Communities”. Mes tyre dalloheshin flamuj amerikanë, flamuj palestinezë, flamuj LGBTQ+ dhe shenja kundër Presidentit Donald Trump.

Në krye të protestës folën figura të njohura si Prokurorja e Përgjithshme e shtetit të New York-ut, Letitia James, aktori i Hollivudit Robert De Niro dhe aktivisti i të drejtave civile Reverend Al Sharpton. Me ata u bashkuan edhe disa udhëheqës të organizatave për të drejtat e njeriut dhe komunitetin LGBTQ+.

Atmosfera ishte energjike por kryesisht paqësore.

Protestuesit këndonin, brohorisnin dhe valëvitnin flamuj, ndërsa disa kishin veshur kostume simbolike nga figura revolucionare koloniale deri te një oktapod kartoni që përfaqësonte “kapjen e pushtetit”. 

Një studente e re nga New Jersey tha me megafon: “Njerëzit po dërgohen në qendra paraburgimi si në kampet e përqendrimit. Kjo nuk është Amerika që njohim.”

Nndërsa një burrë rreth 70-vjeç, i veshur me kostum kolonial, u shpreh: “Asgjë nga kjo nuk është normale. Pushteti i takon popullit, jo një njeriu të vetëm apo miqve të tij miliarderë.”

Organizatorët e përshkruan protestën si kundër “qeverisjes si monarki”, duke kritikuar ashpërsimin e politikave të imigracionit, praninë e agjentëve ICE dhe tensionet me Iranin. Disa pankarta referoheshin edhe çështjes Epstein dhe incidenteve në Minneapolis, duke i quajtur ato “terror shtetëror”.

Policia e New York-ut (NYPD) ishte e pranishme në numër të madh, me barrikada që mbyllnin disa rrugë, përfshirë pjesën e 34th Street. Bizneset lokale shprehën shqetësim për ndërprerjen e trafikut dhe humbjet nga mbyllja pesëorëshe.

Marshimi përfundoi me fjalime në Times Square dhe thirrje të forta “Power to the People”. Në fund, protestuesit vendosën një çarçaf të madh ku shkruanin mesazhe personale.

Ky eveniment ishte pjesë e “Ditës Kombëtare të Veprimit” me protesta në të gjithë SHBA-në. Organizatorët e quajtën atë një nga ditët më të mëdha të rezistencës kundër asaj që ata e shohin si rrezik për demokracinë.

Image
Image
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat