Eric Wendt në Senat: Prioritet luftën kundër korrupsionit dhe forcimi i partneritetit SHBA-Shqipëri

Diaspora

Eric Wendt në Senat: Prioritet luftën kundër korrupsionit dhe forcimi i partneritetit SHBA-Shqipëri

Nga: Beqir Sina Më: 21 maj 2026 Në ora: 20:10
Eric Wendt

Washington D.C., (20 maj 2026) – I nominuar nga Presidenti Donald Trump për Ambasador të SHBA-së në Shqipëri, Eric Wendt u paraqit dje në dëgjesën e Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan.

“Jam i nderuar dhe mirënjohës ndaj Presidentit Trump dhe Sekretarit Rubio për besimin e vendosur tek unë për këtë detyrë”, tha ai.

Me mbi 34 vjet shërbim ushtarak, përfshirë si komandant i forcave speciale të NATO-s, Wendt theksoi angazhimin për të thelluar marrëdhëniet strategjike me Shqipërinë si aleate kyçe në Ballkanin Perëndimor.

Në deklaratën hapëse, Wendt tha: “Shqiptarët mishërojnë shpirtin luftarak të heroizmit të Skënderbeut. Populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës.”

Ai renditi prioritetet kryesore: luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës; rritjen e shpenzimeve për mbrojtje drejt 5% të PBB-së; investimet amerikane në energji, infrastrukturë, miniera dhe AI, si dhe kujdesin për stafin e ambasadës.

Shtypi amerikan(Gazeta si OC Register dhe faqe kongresionale) e mbuluan ngjarjen në mënyrë faktike, duke theksuar përvojën ushtarake të Wendt dhe qëndrimin e tij të qartë ndaj korrupsionit.

Senatorët republikanë, të udhëhequr nga kryetari Jim Risch, u fokusuan kryesisht te siguria kombëtare dhe lufta kundër drogës. Sipas tyre, Shqipëria është shndërruar në një pikë tranziti për kartelet latino-amerikane që dërgojnë kokainë drejt Evropës – çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë e SHBA-së, pasi një pjesë e drogës arrin edhe në tregun amerikan.

Republikanët e shohin Shqipërinë si partner ushtarak të provuar (me kontribute në NATO, Afganistan dhe sanksione kundër Rusisë) dhe duan ta forcojnë këtë bashkëpunim për të ndaluar rrjedhën e narkotikëve, luftuar krimin e organizuar dhe parandaluar ndikimin rus e kinez në Ballkan. 

Fokusimi te rritja e shpenzimeve për mbrojtje lidhet me vizionin e tyre për një NATO më të fortë dhe aktive.

Wendt u përgjigj pozitivisht, duke premtuar bashkëpunim të ngushtë me policinë shqiptare, SPAK-un dhe agjencitë amerikane si DEA. Ai tha se “këto sfida prekin brigjet tona” dhe se Shqipëria mund të bëhet model suksesi në luftën kundër korrupsionit dhe drogës në rajon.

Dëgjesa pati disa momente tensioni, kryesisht nga pyetjet e senatorëve demokratë. 

Senatori Chris Murphy (D-CT) e pyeti Wendt-in se si do të vepronte në rast se familja Trump do të bënte investime në Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për transparencë, konkurrencë të ndershme dhe konflikt interesi.

Wendt u përgjigj me qetësi profesionale: “Unë nuk kam lidhje personale me investimet e familjes Trump. Unë do të bëj punën time si ambasador; nëse këto kompani ndjekin rregullat, atëherë do të jemi mirë. Jam dakord se të gjithë duhet të kenë mundësi të barabarta.”

Çështje të tjera si rasti McGonigal, ndikimi i George Soros apo zgjedhjet në Shqipëri nuk u ngritën si pyetje të drejtpërdrejta. Seanca zhvilloi në një kuadër profesional dhe strategjik, me fokus te prioritetet bilaterale: lufta kundër korrupsionit, siguria rajonale dhe investimet.

Çfarë tha shtypi amerikan?

Mbulimi në media amerikane ka qenë kryesisht faktik dhe neutral. Gazeta si OC Register dhe faqe kongresionale theksuan profilin ushtarak të fortë të Wendt, përvojën në NATO dhe nevojën për një ambasador të ri pas tre vjet vakance. Senatorë si Jim Risch dhe Jeanne Shaheen e përshkruan Shqipërinë si aleate të rëndësishme që ka mbështetur sanksionet kundër Rusisë dhe Ukrainën.

Procesi i konfirmimit është  dëgjesa si hap kyç, por jo vendimtar. 

Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë pritet të zhvillojë mbledhjen “markup” brenda këtyre ditëve ose javëve të ardhshme për të votuar rekomandimin, pastaj çështja shkon në Senatin e plotë. 

Me shumicën republikane, konfirmimi pritet relativisht i shpejtë jo më larg se 2-4 javëve, nëse nuk do të ketë vonesa procedurale. Zyrtarisht Wendt është ende në status “pending”.

Ky emërim në Tiranë vjen pas një vakance të gjatë që nga koha e Yuri Kim (2023). Nëse konfirmohet, Wendt zëvendëson Chargé d’Affaires Nancy VanHorn dhe pritet të forcojë partneritetin SHBA-Shqipëri në siguri, ekonomi dhe reforma.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat