Nën petkun e qendrave kulturore shqiptare veprojnë misionarët e islamit politik!

Diaspora

Nën petkun e qendrave kulturore shqiptare veprojnë misionarët e islamit politik!

Nga: Saim Tahiraj Më: 11 nëntor 2026 Në ora: 22:23
Pamje nga vendi i ngjarjes

Me qindra xhami, të ndërtuara rishtas apo të vendosura në ndërtesa të përshtatura për këtë qëllim, funksionojnë në Zvicër me emërtimet Qendra Kulturore Shqiptare apo Qendra Kulturore Shqiptaro-Islame. Fonde marramendëse janë shpenzuar për ndërtimin apo përshtatjen e tyre.

Shpesh e pyes veten: Ku e kanë burimin gjithë këto para që shpenzohen për ndërtimin e tyre?

Kur ne, si shoqata humanitare, me vështirësi i tubojmë paratë për ndërtimin e një shtëpie për një familje të varfër në Kosovë, apo kur përpiqemi të mbledhim mjete për botimin e një libri me rëndësi kombëtare e kulturore, si është e mundur që për ndërtimin e këtyre objekteve fetare të sigurohen shuma kaq të mëdha parash? Kjo është një çështje që meriton transparencë dhe përgjigje të argumentuara.

Me qindra qendra të tilla shqiptaro-islame funksionojnë në Zvicër, ku zhvillohen veprimtari fetare, mësohet arabisht dhe, në raste të caktuara, përçohet edhe një interpretim politik e ideologjik i Islamit.

Ndërkohë, nuk kemi arritur të krijojmë një rrjet të mirëfilltë qendrash kulturore shqiptare, ku do të mësohej, kultivohej dhe zhvillohej kultura jonë e lashtë kombëtare. Në vend të tyre, po përballemi me një përhapje gjithnjë e më të madhe të institucioneve që, krahas veprimtarisë relegjioze, po bëhen edhe bartëse të kulturave dhe ideologjive të huaja.

Përballë kësaj dukurie lind një pyetje mjaft shqetësuese: Kah po shkojmë ne shqiptarët?

Këtë pyetje duhet t’ia shtrojë vetes çdo shqiptar që mendon, vepron dhe flet shqip.

Derisa bota demokratike po ecën me hapa gjigantë drejt zhvillimit, emancipimit dhe përparimit shoqëror, ne rrezikojmë të kthehemi prapa, duke u barrikaduar në interpretime dhe botëkuptime të shekullit VII.

Çfarë u ligjërohet fëmijëve shqiptarë në këto institucione? Çfarë edukimi marrin ata? A u mësohet historia e popullit të tyre, gjuha shqipe, traditat, figurat kombëtare dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar identiteti ynë? Apo, përkundrazi, një pjesë e tyre po edukohet me botëkuptime që e vendosin përkatësinë relegjioze mbi atë kombëtare?

Këto janë pyetje legjitime, të cilat kërkojnë përgjigje serioze.

Rastet e dokumentuara të të rinjve shqiptarë që iu bashkuan luftërave fetare në shtetet arabe, si dhe rastet e përfshirjes së disa individëve shqiptarë në aktivitete terroriste në Evropë dhe SHBA, duhet të shërbejnë si alarm për shoqërinë tonë. Këto raste nuk na japin të drejtë të përgjithësojmë për të gjithë besimtarët apo institucionet fetare, por na obligojnë të kërkojmë transparencë, përgjegjësi dhe kontroll institucional ndaj çdo veprimtarie ekstremiste që burojnë nga këto xhami.

Vetëm në Oensingen është përmendur shifra prej rreth një milion frangash zvicerane të mbledhura për ndërtimin e një xhamie. A është e saktë kjo shifër? Nga cilat burime janë siguruar këto mjete? A janë fonde të mbledhura nga komuniteti shqiptar apo kanë ardhur edhe nga burime të tjera? Këto janë çështje që duhet të sqarohen publikisht, me fakte dhe dokumentacion.

Sido që të jetë burimi i financimit, shqiptarët duhet të mendojnë seriozisht se kah po shkojnë dhe çfarë trashëgimie po ua lënë brezave të ardhshëm.

A është kjo rruga e duhur? Mendoj se jo. Madje, nëse vazhdojmë ta lëmë pas dore identitetin tonë kombëtar, kjo mund të na çojë drejt një vetëzhdukjeje të ngadalshme kulturore dhe identitare si komb.

Duhet ta bëjmë një dallim të qartë: besimi fetar është çështje e bindjes dhe e ndërgjegjes individuale, ndërsa identiteti kombëtar është trashëgimi historike, gjuhësore dhe kulturore e një populli. Askush nuk duhet të detyrohet të zgjedhë ndërmjet besimit dhe kombit të vet. Por asnjë ideologji fetare nuk duhet të përdoret për ta zëvendësuar, për ta dobësuar apo për ta mohuar identitetin kombëtar shqiptar.

Në vend që të krijojmë fonde për shkolla shqipe, ku fëmijët tanë do të mësonin gjuhën tonë të bukur, historinë tonë të lavdishme dhe gjeografinë e mbarë hapësirës shqiptare, çfarë po bëjmë ne?

Në vend që të krijojmë fonde për ndërtimin e qendrave kulturore shqiptare, ku do të zhvillohej dhe kultivohej kultura jonë kombëtare, ku do të organizoheshin ligjërata historike, ekspozita, promovime librash dhe veprimtari artistike, ne po investojmë shuma të mëdha në institucione që shpesh nuk e kanë kulturën shqiptare në qendër të veprimtarisë së tyre porë kulturat e huaj.

Në këtë mënyrë, rrezikojmë të kontribuojmë vetë në zëvendësimin gradual të identitetit tonë kombëtar me një identitet tjetër kulturor e ideologjik, nën petkun e përkatësisë fetare.

Shqiptarët kanë një histori të veçantë të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare. Kjo është një pasuri e çmuar që duhet ruajtur. Ne nuk kemi nevojë për importimin e ideologjive që mbjellin ndasi, fanatizëm dhe përçarje. Kemi nevojë për arsimim, kulturë, shkencë, emancipim dhe vetëdije kombëtare.

Prandaj, është koha e fundit që të kthjellemi si shoqëri mbarëshqiptare. Prindërit, intelektualët, shoqatat, institucionet e diasporës, si dhe shtetet tona, duhet të marrin përgjegjësinë që u takon.

Duhet të mobilizohemi me vendosmëri kundër çdo ideologjie ekstremiste dhe politike që synon të na largojë nga rrënjët tona kombëtare. Kjo nuk është luftë kundër fesë apo besimtarëve, por mbrojtje e identitetit tonë, e kulturës sonë dhe e së ardhmes së brezave shqiptarë.

Ne nuk duhet të lejojmë që fëmijët tanë të rriten duke e njohur më mirë historinë e popujve të tjerë sesa historinë e popullit të tyre; duke mësuar gjuhë të huaja pa e zotëruar gjuhën e nënës; duke njohur tradita të importuara, ndërsa harrojnë traditat e të parëve të tyre.

Kombet nuk zhduken vetëm nga luftërat. Ato mund të humbin edhe përmes asimilimit kulturor, humbjes së gjuhës dhe shkëputjes nga historia e tyre.

Besimi është e drejtë individuale, ndërsa ruajtja e gjuhës, historisë dhe identitetit kombëtar është përgjegjësi e përbashkët.

Nesër mund të jetë vonë. Duhet të veprojmë sot!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat