Gjimshiti në luftë me kohën

Futboll

Gjimshiti në luftë me kohën

Më: 23 janar 2021 Në ora: 11:34
Gjimshiti në luftë me kohën

Berat Gjimshiti mund të luajë kundër Milanit në sfidën e pasdites së sotme në “San Siro”. Sipas mediave italiane, qendërmbrojtësi kuqezi është drejt riaftësimit të plotë pasi dëmtoi gishtin e madh të këmbës së djathtë në sfidën kundër Xhenoa, një sfidë të cilën bergamaskët e barazuan një javë më parë me rezultatin 0-0. Ekipi i Xhan Piero Gasperinit barazoi në fundjavë ndaj Udinezes dhe sot do të kërkojë pikë që ta mbyllë mes katër të parave këtë fazë të parë.

Mbrojtësi shqiptar nëse ndëshkohet sot, do të mungojë në ndeshjen e radhës, teksa për Atalantën sot ndoshta nuk do të jetë i gatshëm as Pezina që vjen gjithashtu nga një dëmtim.

E ARDHMJA – Berat Gjimshiti, në fakt, deri pak ditë më parë përflitej si përforcimi i Milanit në merkaton e janarit, por hezitimi i Atalantës për të përforcuar një rival direkt bëri që kuqezinjtë të devijonin te Fikajo Tomori. Gjithsesi, interesi i Paolo Maldinit për shqiptarin nuk është venitur, ndaj nuk do të ishte çudi që në verë drejtori i “Djallit” të niste përsëri ofensivën për të kërkuar Gjimshitin.

Duhet thënë se ai po përjeton ndoshta sezonin më të mirë në Serinë A me Atalantën dhe ndeshja e sotme mund të shërbejë si një provim. Një paraqitje bindëse e mbrojtësit të Kombëtares së Shqipërisë mund të rindizte dëshirën e Milanit për ta afruar në kuadër të sezonit të ardhshëm, sidomos nëse skuadra e Piolit ia arrin të kualifikohet për në edicionin 2021- ’22 të Ligës së Kampioneve.

Ndërkohë Milani ka publikuar listën me lojtarët e grumbulluar për ndeshjen e sotme, ku menjëherë në sy bie, se trajneri Pioli ka grumbulluar për këtë ndeshje dy afrimet më të fundit në merkato, Mario Manxukic dhe Fikajo Tomori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat