Cota do të ketë një skulpturë në stadiumin “Vallecas”

Futboll

Cota do të ketë një skulpturë në stadiumin “Vallecas”

Nga: B.S. Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 19:07
Cota gjatë një ndeshjeje të veteranëve të Rayo Vallecanos, së bashku me Míchelin

Mariano de Paco ka konfirmuar se do të nderohet futbollisti me më së shumti ndeshje në historinë e Rayo Vallecanos.
Komuniteti i Madridit po tregon përkushtim të madh ndaj klubit Rayo Vallecano.

Pas pjesëmarrjes në turneun bamirës të organizuar nga tifozët e grupit “DiscapRayo”, këshilltari për Kulturë, Turizëm dhe Sport, Mariano de Paco Serrano, ka konfirmuar se në stadiumin “Vallecas” do të vendoset një skulpturë e Jesús Diego Cotas.

Lajmin ai e bëri të ditur gjatë paraqitjes së tij në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Asamblesë së Përgjithshme.

Cota është futbollisti me më së shumti ndeshje të zhvilluara në historinë e Rayo Vallecanos dhe Komuniteti i Madridit ka vendosur ta nderojë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në klub.

Ish-mbrojtësi i djathtë ishte pjesë e gjeneratës së parë të njohur si “EuroRayo”. Edhe pse tashmë është larguar nga futbolli profesionist, ai vazhdon të zbresë në fushë me fanellën e Rayo Vallecanos në ndeshjet e organizuara nga Shoqata e Veteranëve të klubit, pjesë e së cilës është dhe të cilën dikur edhe e ka drejtuar si president.

Pjesë e iniciativës “Madrid në Bronz”

Kjo nismë është pjesë e projektit “Madrid en Bronce” (Madridi në Bronz), për të cilin janë ndarë 500 mijë euro në kuadër të projektbuxhetit për vitin 2027.

Projekti parasheh vendosjen në hapësirat publike të skulpturave të reja kushtuar personaliteteve të njohura, si romancieri Benito Pérez Galdós, poeti Vicente Aleixandre dhe piktori Pablo Picasso.

Në mesin e figurave që do të nderohen do të jetë edhe Jesús Diego Cota, një emër i rëndësishëm në historinë e Rayo Vallecanos.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat