Dani Olmo është çelësi i Barcelonës dhe i kombëtares së Spanjës. Rëndësia e tij vërehet më së miri pikërisht atëherë kur mungon në fushë.
Dani Olmo, futbollisti i Barcelonës dhe pjesë e kombëtares së Spanjës, ka marrë vlerësime të mëdha nga gazeta spanjolle AS, e cila i ka kushtuar një artikull me titullin “Olmo është çelësi”.
Mediat spanjolle theksojnë rëndësinë e tij për Barcelonën dhe kombëtaren, duke nënvizuar se vlera e mesfushorit kuptohet më së miri kur ai nuk është në fushë.
Olmo ka munguar gjatë muajit të fundit për shkak të një dëmtimi, ndërsa rikthimi i tij pritet të ndodhë në ndeshjen kundër Villarrealit.
“Asnjë skuadër nuk është imune ndaj mungesës së Dani Olmos, as Barcelona dhe as kombëtarja e Spanjës. Dëmtimi që e ka mbajtur jashtë fushave gjatë muajit të fundit tregon se sa i rëndësishëm është roli i tij në lojën e përgjithshme të ekipit. Olmo vihet re si kur luan, ashtu edhe kur mungon. Ai është një prej atyre futbollistëve që i bëjnë skuadrat e tyre më të mira”, shkruan AS.
Media spanjolle kujton humbjen e fundit të kombëtares ndaj Anglisë, disfatën e Barcelonës në El Clasico kundër Real Madridit, si dhe pjesën e parë të dobët të skuadrës katalanase kundër Atleticos.
“Humbja e fundit e kombëtares ndaj Anglisë, disfata e Barcelonës në El Clasico dhe paraqitja e dobët në pjesën e parë kundër Atleticos na kujtojnë rëndësinë e Olmos. Spanja u mposht nga forca fizike e skuadrës së drejtuar nga Tuchel, ndërsa presioni i vazhdueshëm i lartë nuk e lejoi të luante me saktësinë e zakonshme”, shkruan gazeta.
“Në një situatë të tillë, aftësia e Olmos për të luajtur mes linjave do t'i kishte ardhur jashtëzakonisht shumë në ndihmë kombëtares, për të gjetur ritmin e duhur dhe për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes”, theksojnë spanjollët.
AS citon gjithashtu edhe ish-reprezentuesin e Spanjës, Ander Herrera, i cili është shprehur për Olmon:
“Ai është lojtari më i mirë në botë në hapësirat mes linjave. Mënyra se si pozicionohet, mënyra se si kthehet me topin...”
Media spanjolle shpjegon se në stadiumin Metropolitano, njëri prej qendërmbrojtësve anglezë dilte përpara për të markuar Mikel Merinon, një futbollist me karakteristika të ndryshme nga Olmo.
“Lëvizjet e Olmos për të marrë topin dhe aftësia e tij për t'u kthyer me të mund ta kishin ndryshuar atë situatë”, shkruan AS.
Gazeta kujton gjithashtu se në Botërorin e fundit, Olmo ishte një prej futbollistëve që kërkonte më shpesh të merrte topin në hapësirat mes linjave kundërshtare. Ai regjistroi plot 175 lëvizje të tilla.
“Olmo sjell rregull dhe krijon kaos”
“Tani, kur duket se do të rikthehet kundër Villarrealit, ia vlen të theksohet rëndësia e revolucionit të heshtur të Dani Olmos”, shkruan AS.
Sipas medias spanjolle, Olmo meriton një rol edhe më të madh te Barcelona. Ajo veçon dy cilësi të tij që në pamje të parë mund të duken të kundërta me njëra-tjetrën.
“Ndonjëherë në mënyrë të padukshme, me një rol te Barcelona që duhet të jetë shumë më i madh, Olmo zotëron dy cilësi që në teori janë të kundërta. Olmo sjell rregull dhe krijon kaos.”
Në fund të analizës, shpjegon arsyet pse mesfushori është kaq i rëndësishëm në faza të ndryshme të lojës.
“Klasi i tij shfaqet në shumë aspekte që statistikat nuk mund t'i matin. Ai është i aftë të organizojë lojën e skuadrës kur ka topin në zotërim dhe më pas, përmes kreativitetit të tij, të krijojë çekuilibër në mbrojtjen kundërshtare. Përveç kësaj, është shumë i aftë për të udhëhequr presingun, për të ngushtuar hapësirat mes linjave dhe për të ndihmuar në mbulimin e hapësirave në mbrojtje”, përfundon gazeta spanjolle.
Olmo këtë sezon ka një gol dhe katër asistime
Ndeshjen e fundit, Dani Olmo e ka zhvilluar më 20 tetor, kur Barcelona pësoi humbje 4-2 ndaj PSG-së në Champions League. Gjatë asaj përballjeje ai u dëmtua dhe për këtë arsye humbi disa ndeshje të rëndësishme të Barcelonës, përfshirë El Clásicon, si dhe angazhimet me kombëtaren e Spanjës.
Këtë javë, mesfushori është rikthyer në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës dhe pritet që të jetë sërish në dispozicion të dielën, më 22 nëntor, kur Barcelona do të presë Villarrealin në shtëpi.
Në këtë sezon, Olmo ka regjistruar një gol dhe katër asistime.