Bllokime të merkatos për dy klubet, tre masa ndalojnë regjistrimin e lojtarëve të rinj. Tirana ka edhe katër çështje me afat 30-ditor për ekzekutimin e vendimeve, ndërsa Vllaznia një të tillë në 11 javë kampionat.
Tirana dhe Vllaznia vijojnë të përballen me problematika që lidhen me detyrimet financiare ndaj futbollistëve.
Vendimet disiplinore kanë sjellë masa konkrete për të dy klubet, duke përfshirë edhe ndalimin e regjistrimit të lojtarëve të rinj. Tirana ka marrë dy masa për bllokimin e merkatos, në çështjet e Romeo Harizajt dhe Gledi Micit. Në të dyja rastet, klubi është ndaluar të regjistrojë lojtarë të rinj për tri periudha regjistrimi, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve.
E njëjta masë është marrë edhe ndaj Vllaznisë, në çështjen e Liridon Latifit. Shkodranët nuk mund të regjistrojnë lojtarë të rinj për tri periudha regjistrimi, deri në ekzekutimin e plotë të detyrimit. Të tria këto masa janë dhënë në vendimin nr. 6 dhe lidhen me moszbatimin e vendimeve të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve.
Problematikat nuk përfundojnë këtu. Tirana ka edhe katër çështje të tjera, për të cilat i është lënë një afat 30-ditor për ekzekutimin e vendimeve të Dhomës Kombëtare.
Bëhet fjalë për Kleandro Lleshin, Fatmir Prengajn, Erisildo Smaçin dhe Qendrim Ismailin. Ndërkohë, edhe Vllaznia ka një çështje të kësaj natyre, atë të Ildi Grudës, për të cilën është përcaktuar gjithashtu një afat 30-ditor për zbatimin e vendimit.
Në total, dy klubet kanë shtatë çështje me detyrime për t’u ekzekutuar, ndërsa tri prej tyre kanë sjellë masa për bllokimin e regjistrimit të futbollistëve të rinj. Një situatë që i vendos të dy klubet përballë detyrimit për të zgjidhur sa më parë këto problematika financiare.