Xavi Espart do të vazhdojë që të jetë pjesë e ekipit të Barcelonës. Klubi katalanas dhe mbrojtësi i talentuar spanjoll, kanë rënë dakord për të zgjatur bashkëpunimin mes tyre.
Kështu, Espart ka firmosur kontratën e re, e cila e mban të lidhur me skuadrën e Hansi Flick deri në verën e vitit 2030.
“Që kur isha fëmijë, ky klub ka qenë ëndrra ime”, tha mbrojtësi i krahut pas firmës.
Kujtojmë se 19-vjeçari është një “prodhim” i Barcelonës, duke u formuar në akademinë e La Masia. Këtë sezon, ai fitoi besimin e trajnerit Flick, duke luajtur disa ndeshje titullar.
Gjithashtu, Espart ka luajtur edhe dy ndeshje me kombëtaren e Spanjës U21, por ende nuk ka bërë debutimin e tij me përfaqësuesen A dhe është në pritje të një ftese nga Luis de la Fuente.