Gabbia kujton Baresin

Futboll

Gabbia kujton Baresin

Nga: B.S. Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 19:41
Mbrojtësi i Milanit, Matteo Gabbia

Mbrojtësi i Milanit, Matteo Gabbia, ka bërë një dedikim emocionues për legjendën e klubit, Franco Baresi, duke vlerësuar kontributin e tij si futbollist dhe mbi të gjitha si njeri.

Një homazh i ndjerë, emocionues dhe i sinqertë. Nga një tifoz i vërtetë i Milanit për një tjetër figurë të madhe të kuqezinjve.

Matteo Gabbia mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve GLGS, e organizuar në sallën “Sala delle Colonne” të Banco BPM.

Gjatë këtij aktiviteti u nda edhe një çmim në kujtim të Franco Baresit, të cilin në emër të tij e pranoi Giannandrea Baresi.

Gabbia foli me shumë emocion për figurën e ish-kapitenit legjendar të Milanit.

“Para së gjithash, si person dhe më pas si futbollist, ai ishte një figurë themelore për Milanin dhe për ne të rinjtë, të cilët sot po përpiqemi të përmbushim sa më shumë atë që ai përfaqësonte për këto ngjyra.

Ajo që më emocionon sa herë është dëgjimi i historive nga njerëzit që e kanë njohur nga afër. Nga ato rrëfime mund ta dëgjosh dhe ta ndjesh madhështinë që ai arriti para së gjithash si njeri. Kjo është ajo që më prek më së shumti”, deklaroi Gabbia.

Mbrojtësi kuqezi vlerësoi gjithashtu trashëgiminë që Baresi ka lënë në klub dhe rëndësinë e aktiviteteve humanitare të Fondacionit Milan.

“Unë mendoj se Franco është një legjendë dhe besoj se Fondacioni Milan e pasqyron shumë bukur rëndësinë që ai kishte si njeri dhe si futbollist.

Pata fatin të merrja pjesë javën e kaluar në takimin me fëmijët që luanin futboll ulur. U emocionova, sepse pashë në fytyrat dhe sytë e tyre gëzimin dhe kënaqësinë që ndienin duke luajtur dhe duke u argëtuar, si dhe dëshirën për të garuar me njëri-tjetrin.

Jam i bindur se Franco do të ishte krenar për atë që arriti të krijonte së bashku me klubin”, u shpreh futbollisti i Milanit.

Gabbia kishte sjellë edhe një dhuratë të veçantë për këtë ceremoni: një fanellë të Franco Baresit.

Këtë fanellë do ta veshin të gjithë punonjësit e Milanit gjatë hyrjes në stadiumin “San Siro”, të dielën, para ndeshjes Milan – Frosinone.

Në këtë përballje, Fondacioni Milan do të jetë partneri bamirës i ndeshjes (Match Charity Partner), duke vazhduar kështu punën humanitare në frymën e vlerave që përfaqëson klubi kuqezi.
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat