Iraola paralajmëron se Manchester Utd nën drejtimin e Pochettinos është një skuadër krejtësisht ndryshe!

Futboll

Iraola paralajmëron se Manchester Utd nën drejtimin e Pochettinos është një skuadër krejtësisht ndryshe!

Nga: B.S. Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 16:55
Trajneri Andoni Iraola

As statistikat dhe as renditja në kampionat nuk duket se janë të mjaftueshme për ta qetësuar Liverpoolin përpara përballjes së së dielës së ardhshme.

Arsyeja është se skuadra që do të zbresë në fushën e Anfield nuk është më Manchester Unitedi që ka vuajtur për një kohë të gjatë këtë sezon, por një ekip krejtësisht i ri, që kërkon një fillim të ndryshëm nën drejtimin e trajnerit të ri, Mauricio Pochettino.

Ky është mesazhi i trajnerit të Liverpoolit, Andoni Iraola, i cili refuzon ta konsiderojë ndeshjen e së dielës si një përballje të lehtë kundër një skuadre që renditet në vendin e 18-të dhe që nuk ka regjistruar asnjë fitore në kampionat që nga gushti i kaluar.

Sipas trajnerit spanjoll, kjo mund të jetë pikërisht periudha më e rrezikshme për t'u përballur me Manchester Unitedin.

Duke folur në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, Iraola u shpreh: “Duhet ta kuptojmë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Ata kanë një trajner të ri dhe kjo na sjell sfida të reja. Është e vërtetë se kanë një avantazh të vogël, pasi ne nuk kemi referenca për t'u përgatitur ndaj tyre, sepse ata mund të ndjekin rrugë të ndryshme, të cilat, sinqerisht, për momentin nuk i njohim.”
Një trajner i ri mund të ndryshojë gjithçka në dhomën e zhveshjes dhe Iraola e di mirë këtë. Çdo lojtar do të dëshirojë të dëshmojë vlerat e tij dhe të luftojë për një vend në formacionin titullar. Kjo mund t'i japë Manchester Unitedit një shtysë të madhe morale dhe të ringjallë sezonin e tij të vështirë.
Trajneri i Liverpoolit dëshiron që skuadra e tij ta neutralizojë sa më shpejt këtë entuziazëm.

“Fillimi i ndeshjes do të jetë shumë i rëndësishëm. Ne i njohim mirë lojtarët e tyre, dimë se kush janë dhe cilat janë pikat e tyre të forta dhe të dobëta që kanë treguar deri tani. Por duhet të përballojmë entuziazmin e tyre që në fillim dhe të mos u japim mundësinë të ndiejnë se mund të rikthehen në lojë.”

Liverpooli renditet në vendin e katërt përpara kësaj përballjeje, pasi ka fituar gjashtë nga tetë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, përfshirë edhe fitoren ndaj Chelseat me penallti në Kupën e Ligës.

Megjithatë, problemi mbetet Anfield. Liverpooli ka fituar vetëm një nga pesë ndeshjet e zhvilluara në shtëpi në kampionat dhe kjo vazhdon të jetë një shqetësim i vërtetë për stafin teknik.

Iraola nuk e fshehu këtë problem, duke thënë: “Po, mendoj se jemi të vetëdijshëm se statistikat tona në transfertë janë shumë më të mira. Duhet ta përmirësojmë këtë aspekt dhe Manchester Unitedi është mundësia e parë për ta dëshmuar.”

Historia e fundit mes dy skuadrave e bën edhe më të vështirë këtë sfidë. Manchester Unitedi nuk ka humbur ndaj Liverpoolit që nga shtatori i vitit 2024 dhe nuk është mundur në Anfield që prej humbjes historike 7-0 ndaj skuadrës së Jurgen Kloppit, në mars të vitit 2023.

Ky bilanc u jep miqve më shumë besim, pavarësisht rezultateve të dobëta të këtij sezoni.

Ka lajme më të mira edhe sa i përket dëmtimeve. Tre lojtarët e lënduar, Jeremie Frimpong, Ryan Gravenberch dhe Virgil van Dijk, pritet të jenë gati për ndeshjen e së dielës. Ky është një përforcim i rëndësishëm për Liverpoolin.

Iraola konfirmoi gjithashtu se Giovanni Leoni dhe Conor Bradley janë rikthyer në stërvitje, por ende nuk janë gati për të luajtur.

Në një tjetër zhvillim, Iraola dënoi filmimin me dron të stërvitjes së Manchester Unitedit gjatë kësaj jave.

Pamjet i ishin dërguar edhe atij, pasi një person i kishte publikuar në kanalin e tij në YouTube, përpara se të kërkonte falje dhe t'i fshinte më pas.

Iraola e përfundoi reagimin e tij duke thënë: “Na i dërguan pamjet dje, por gjëja më e rëndësishme është se kjo nuk duhet të jetë e ligjshme. Kjo i ndodhi Manchester Unitedit, por mund të më ndodhë edhe mua në çdo seancë stërvitore.

Nuk bëhet fjalë për avantazhin që mund të përfitosh, por për faktin se dikush mund ta bëjë një gjë të tillë. Ka një arsye pse ne stërvitemi me dyer të mbyllura dhe nuk mendoj se kjo është diçka e mirë për asnjë klub.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat