Shorti i hedhur në Nyon ka përcaktuar se Kroacia do ta mbrojë statusin e saj në elitën e Ligës së Kombeve në përballjet kundër Republikës së Irlandës.
Pas përfundimit në vendin e tretë në grupin A3, kroatët do të zhvillojnë dy ndeshje në muajin mars, në të cilat do të kërkojnë mbijetesën në nivelin më të lartë të këtij kompeticioni.
Për shortin dhe kundërshtarin e radhës ka folur edhe përzgjedhësi i Kroacisë, Slaven Biliç.
“Mendoj se ky është një short i mirë, sepse na pret një kundërshtar serioz, i fortë dhe i disiplinuar. Ne duhet t'i përgjigjemi me të njëjtën vendosmëri, agresivitet dhe vetëbesim, në mënyrë që cilësia jonë të vijë në shprehje.
Duhet respektuar fakti që irlandezët përfunduan në grup përpara Kosovës dhe Izraelit, por ne e dimë se cilësia është në anën tonë dhe jam i bindur se këtë do ta tregojmë në fushë.
I pres me kënaqësi këto ndeshje kundër Irlandës, sepse e di që në stadiume do të ketë atmosferë të shkëlqyer. Do të jenë ndeshje të rëndësishme, me shumë emocione dhe intensitet, kushte në të cilat ne jemi më të mirët.
Do t'i analizojmë mirë kundërshtarët, do të përgatitemi maksimalisht dhe i pres këto ndeshje me shumë optimizëm dhe dëshirë të madhe për ta ruajtur statusin mes më të mirëve, sepse Kroacia e meriton të jetë aty”, deklaroi përzgjedhësi Slaven Biliç.
Çiftet e plejofit të Ligës së Kombeve A dhe B
Irlanda – Kroacia
Bosnjë-Hercegovina – Danimarka
Hungaria – Serbia
Sllovenia – Uellsi