Mikel Arteta dëshiron ta mbajë Martin Odegaard tek Arsenali për sa më shumë vite.
Trajneri spanjoll ka riafirmuar rëndësinë e kapitenit norvegjez për projektin e klubit londinez, ndërsa kontrata aktuale e mesfushorit përfundon në verën e vitit 2028.
Drejtuesit e Arsenalit kanë punuar gjatë pushimit të kombëtareve për rinovimin e disa kontratave, ndërsa Odegaard, së bashku me Kai Havertz, Ben White dhe Mikel Merino, është ndër lojtarët që kanë ende marrëveshje deri në vitin 2028. Bisedimet zyrtare për zgjatjen e kontratës së norvegjezit nuk kanë nisur ende, por ai ka shprehur dëshirën për të qëndruar.
“Martin është një lojtar thelbësor për mua, klubin dhe skuadrën. Që nga momenti kur u bashkua me ne, ka pasur një rritje të vazhdueshme, me periudha të jashtëzakonshme qëndrueshmërie dhe magjie, por edhe disa momente më të vështira. Rëndësia e tij për atë që po ndërtojmë është thelbësore”, – deklaroi Arteta.
I pyetur nëse dëshiron që Odegaard të qëndrojë për një kohë të gjatë, trajneri u përgjigj prerë: “Po, patjetër që po”.