Klopp: Unë i pari s’e dua këtu!

Futboll

Klopp: Unë i pari s’e dua këtu!

Më: 6 mars 2021 Në ora: 11:52
Klopp: Unë i pari s’e dua këtu!

Futbolli është i paparashikueshëm dhe nuk lejon askënd të flejë mbi dafina. Duke bërë mirë, në të vërtetë shumë mirë në dy vitet e fundit, duket fundi i botës që sezoni aktual të jetë plotësisht i dështuar. Liverpool po e provon këtë në kurriz të tij. Pas disfatës së pestë radhazi në “Anfield” (çka nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e klubit), të gjithë pyesin se çfarë i ndodhi skuadrës së kuqe, e aftë për të fituar së pari Ligën e Kampionëve dhe më pas titullin e Premier League pas një agjërimi që zgjati 30 vite.

Nëse dikush, 365 ditë më parë do të kishte folur për skuadrën e Klopp, se ajo rrezikohej të mos kualifikohej në Ligën e Kampionëve të ardhshme, do të konsiderohej i çmendur. Në fakt, kjo hipotezë mund të bëhet realitet në fund të këtij sezoni.

Diçka që, megjithatë, nuk duket se e shqetëson shumë trajnerin gjerman. Në konferencën për shtyp, para ndeshjes kundër Fulham, Klopp foli për mundësinë e mbetjes jashtë Ligës së Kampionëve. Dhe nuk e bën dramë, përkundrazi. Siç raporton “Goal”, trajneri i Liverpool-it ka ide shumë të qarta:

“Nuk do të jetë normale që ky klub të qëndrojë jashtë Ligës së Kampionëve. Ky sezon është i komplikuar, e dimë, por potenciali ynë është i ndryshëm. Këtë sezon nuk kemi mundur të gjejmë vazhdimësi, por kjo nuk do të thotë asgjë për të ardhmen, meqenëse nuk po kalojmë një formë të mirë. Në të vërtetë, unë do të thoja se në kohë të komplikuara jemi shumë më mirë se të tjerët. Kështu që iu them të gjithëve të mos shqetësohen”.

Me pak fjalë, një vit pa Champions nuk është dramë dhe Liverpool sigurisht nuk do të dekurajohet për këtë. Problemi, përkundrazi, mund të jetë një tjetër: pa Champions, si do të ndihen lojtarët? Tani, duke luajtur në kompeticionin maksimal kontinental, është “paja” më minimale për yjet e futbollit. Dhe dikush mund të kërkojë të largohet, nëse “Reds” mungojnë në Champions… Por, për Klopp, nuk është problem:

“Unë e di që lojtarët do të jenë besnikë, nuk do të jetë dikushi që do të vijë dhe të më thotë se pa Champions dua të largohem. Unë i njoh aq mirë lojtarët që stërvis, sa të them se nuk do të ndodhë. Gjithsesi, në të kaluarën kam thënë që, nëse dikush nuk dëshiron të qëndrojë këtu, sepse nuk luajmë në Champions, jam i pari që nuk e dua atë lojtar. E përsëris: nëse dikush dëshiron të largohet, sepse ne nuk e luajmë në Ligën e kampionëve, unë si trajner nuk e dua këtu. Asgjë personale, por kështu funksionon. Ju duhet të gjeni ekipin e duhur për sfidat që ju presin”.

Pra, në rast moskualifikimi, dyert hapen për ata që duan të largohen. Është e vështirë të kuptohet nëse kjo qasje e gjermanit është për të karikuar lojtarët, një nga gjetjet e tij brilante apo diçka shumë, shumë e rrezikshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat