Reagon ashpër presidenti i UEFA-s: Kam parë shumëçka në jetë, por jo njerëz si Agnelli dhe Ed Woodward!

Futboll

Reagon ashpër presidenti i UEFA-s: Kam parë shumëçka në jetë, por jo njerëz si Agnelli dhe Ed Woodward!

Më: 19 prill 2021 Në ora: 15:59
Alexander Ceferin dhe Andrea Agnelli

Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin, i ka kritikuar ashpër patronin e Juventusit, Andrea Agnelli, si dhe shefin e Manchester United, Ed Woodward, duke i quajtur gënjeshtarë dhe tinëzarë.

Juventusi i Agnellit dhe Unitedi i Woodwardit janë në mesin e 12 klubeve të mëdha evropiane që e krijuan një Superligë Evropiane të dielën.

Superliga do të jetë garë e mbyllur dhe do t’i japë fund garës më të famshme evropiane për klube, Ligës së Kampionëve, nëse jetësohet.

UEFA vazhdimisht e ka kundërshtuar krijimin e një lige të tillë dhe është mbështetur edhe nga FIFA për këtë.

Duke folur për Agnellin, njërin prej ideatorëve të kësaj lige, Ceferin tha: “Nuk do të flas shumë për Agnellin, ai është ndër zhgënjimet më të mëdha, vërtet zhgënjim i madh. Kurrë s’e kam parë një njeri i cili mund të gënjejë në atë mënyrë vazhdimisht. Vërtet e pabesueshme. Fola më të dielën pasdite dhe ai më tha se ishin thjesht thashetheme dhe se nuk kishte asgjë të vërtetë në to. Ai tha se do të më telefononte, por në fakt e kishte fikur telefonin”.

Ndërsa në lidhje me shefin e Unitedit, ai shtoi: “Kam parë shumë gjëra në jetën time, por kurrë nuk kam parë njerëz si ata. Unë dhe Ed Woodward nuk kemi biseduar shumë, por të enjten e kaluar ai më telefonoi dhe më tha se ishte i lumtur me reformat (në Ligën e Kampionëve) dhe se i përkrahte ato. Gjëja e vetme për të cilën donte të fliste ishte fair play financiar, por në fakt e kishte nënshkruar marrëveshjen për Superligë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat