Napoli do të përballet me Lazion

Futboll

Napoli do të përballet me Lazion

Më: 22 prill 2021 Në ora: 11:06
Napoli do të përballet me Lazion

Nëse gara për titullin kampion është thuajse e mbyllur, me Interin të shkëputur 10 pikë para në krye, në kampionatin italian po zhvillohet një luftë mjaft e fortë për zonën Champions të renditjes, ku 6 skuadra garojnë për 3 vende.

Dy ndeshjet e fundit të javës së 32-të ofrojnë edhe dy përballje direkte për këtë objektiv, duke nisur nga ora 18:30, kur Roma të përballet me Atalantën në stadiumin “Olimpico” të kryeqytetit.

Verdhekuqtë janë të fundit në këtë garë dhe sot luajnë gjithashtu shansin e fundit për të synuar një vend në Ligën e Kampionëve, ndonëse përballë do të kenë një prej skuadrave më të forta të kampionatit.

Nga ana tjetër bergamaskët mposhtën fundjavën e kaluar Juventusin dhe me një tjetër sukses sot në “Olimpico”, do të ngjiteshin në vendin e dytë dhe do të mund të blindonin pozitat në zonën Champions të renditjes.

Në mbrëmje vëmendja do të spostohet në “Diego Armando Maradona”, ku Napoli do të përballet me Lazion në një tjetër sfidë direkte për një vend në zonën Champions. Napolitanët vijnë pas një barazimi me Interin dhe kanë zbritur në vendin e 5-të, ndaj sot janë të dënuar të marrin tre pikët, për të ruajtur hapin e skuadrave që kanë më lart në renditje.

Nga ana tjetër edhe Lazio ka luajtur një ndeshje më pak se rivalët dhe do të shkojë në Napoli me misionin të mos humbë, për të provuar të rikuperojë distancën me pararendëset në sfidën e prapambetur me Torinon.

Nuk do të mungojnë as emocionet e kampionatit spanjoll, teksa në orën 19:00 Atletico e Madridit do të presë në “Wanda Metropolitana” Huescën. Pas fitores së djeshme, Reali ka marrë vendin e parë, ndonëse me pikë të barabarta me Los Colchoneros, që sot janë të dënuar të marrin tre pikët për të vijuar kryesimin të vetëm.

Në mbrëmje vëmendja do të jetë në “Camp Nou”, ku Barcelona do të presë Getafen. Kjo do të jetë ndeshja e parë e katalanëve në kampionat, që prej humbjes në El Classico më 10 prill, pasi javën e kaluar skuadra e Koeman ngriti edhe trofeun e parë sezonal, Kupën e Mbretit, transmeton SS.

Me dy ndeshje më pak se Reali e Sevilla, katalanët kanë zbritur në vendin e katërt të renditjes, ndaj do të synojnë marrjen e tre pikëve, për t’u afruar edhe më shumë me kreun dhe për të synuar titullin kampion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat