Tifozët: Perez ndez gjysmëfinalen e Champions-it

Futboll

Tifozët: Perez ndez gjysmëfinalen e Champions-it

Më: 25 prill 2021 Në ora: 11:41
Tifozët: Perez ndez gjysmëfinalen e Champions-it

Intervistat që Florentino Perez ka dhënë në “El Larguero” kanë pasur pasoja në Angli. Presidenti i Realit të Madridit u tregua i hapur se skuadrat e Premier Ligës ishin ato që tradhtuan të parat projektin e Super Ligës. Ai, gjithashtu, foli edhe kundër tifozëve të Çelsit, të cilët nuk ngurruan që ta sulmonin hapur numrin një të madrilenëve.

Mbi 1000 tifozë blu ishin të pranishëm përpara stadiumit “Stamford Bridge” për të protestuar në lidhje me formatin e ri që do të krijohej në Europë. Perez në fakt e injoroi këtë gjë duke thënë se ishin vetëm disa njerëz të nxjerrë nga dikush.

“Ishin 40 tifozë të Çelsit dhe nuk mund ta them se kush i nxori aty për të protestuar”, tha Perez. Deklaratat e tij nuk janë pritur aspak mirë në Londër, ku disa media lokale kanë thënë se presidenti i Realit ka ndezur akoma më shumë ndeshjen gjysmëfinale të Champions-it, e cila do të luhet javën e ardhshme.

Në Londër i kanë konsideruar deklarata të nxituara dhe të pamendurara të numrit një të Realit të Madridit.

Sigurisht që dueli i gjysmëfinales do të ketë një motiv më shumë mes dy tifozërive. Në fakt, Çelsi dhe Reali ishin nga e njëjta anë në fillimin e projektit të Super Ligës, por blutë e Londrës u tërhoqën dhe kishin shumë dyshime për diçka të tillë. Kjo gjë ka shtuar urrejtjen mes tifozëve, gjë që shihet në rrjetet sociale. Gjysmëfinalja do të jetë më e luftuar se kurrë në fushën e lojës dhe jashtë saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat