Agim Ademi: Lamtumirë miku im!

Futboll

Agim Ademi: Lamtumirë miku im!

Më: 12 maj 2021 Në ora: 12:16
Bajram Neziri

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, me një letër emocionuese për Bajram Nezirin, i cili ndërroi jetë dje në moshën 72-vjeçare.

“Në vend të përkujtimit; Bajram Neziri, njeriu i vlerave të mëdha të futbollit 

Në prag të festës së Bajramit ka ikur në përjetësi miku im, njeriu i vlerave të mëdha dhe punëtori i jashtëzakonshëm i futbollit, Bajram Neziri. Me ikjen e tij nga kjo botë, familja humbi njeriun më të dashur, miqtë një shok të përhershëm, derisa futbolli i Kosovës një punëtor me vlera të mëdha.

Me Bajramin kishim raporte jo vetëm profesionale, por edhe miqësore. Futbolli na lidhi që nga ditët e para të mëvetësimit. Profesionalizimi dhe guximi i tij ishin shumë të nevojshme në atë periudhë të okupimit për futbollin e Kosovës, pasi çdo gjë ishte përmbysur nga regjimi serb i asaj kohe.

Zhvillimi i futbollit dhe i çdo veprimtarie tjetër në atë kohë ishte më shumë çështje patriotizmi dhe rezistence sesa çështje sportive. Në mesin e atyre që e kishin guximin dhe vullnetin për të nisur një epokë të re të futbollit ishte edhe miku im Bajrami, i cili me dijen dhe përvojën e tij ndihmoi në vendosjen e akteve normative dhe të sistemit të garave të futbollit të pavarur.

Që nga viti 1991 Bajram Neziri nuk rreshti asnjëherë së punuari me përkushtim në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe për organizimin sa më të mirë të saj, edhe pse në disa periudha nuk kishte as kushte elementare për punë.

Ideali i tij dhe i shumë bashkëkohësve triumfoi. Liria erdhi dhe organizimi i Federatës së Futbollit të Kosovës vazhdoi në kushte dhe rrethana tjera, por me mision tjetër, atë të ndërkombëtarizimit. Me Bajramin e patëm fatin që t’i gëzoheshim së bashku anëtarësimit në UEFA e FIFA. Ishte i lumtur që tërë ajo punë e bërë nën kushte të jashtëzakonshme prej shumë veprimtarëve të futbollit u kurorëzua me anëtarësim në familjet evropiane dhe botërore të futbollit.

Edhe pas pensionimit, ai, gjithnjë ishte afër futbollit dhe i ndiqte me entuziazëm të madh ndeshjet e Kombëtares së Kosovës, por edhe garat e kampionatit vendor dhe çdo herë ishte prej të njerëzve të parë që na përgëzonte për sukseset e arritura.

Kudo ku shkonte Bajrami gëzonte respekt maksimal, sepse atë e kishte fituar me punën e tij profesionale dhe të palodhshme ndër dekada.

Në këtë ditë pikëllimi për të gjithë ne, e kujtoj me respekt e krenari kontributin e tij të jashtëzakonshëm për futbollin e Kosovës.

Jam i sigurt se nga futbolli ai nuk do të ndahet kurrë, do të na përcjellë e mbështesë edhe nga lart dhe çdo sukses i joni do ta bëjë atë të ndihet i qetë dhe i lumtur, andaj jemi të obliguar që të punojmë edhe më shumë dhe njerëzit tanë që dhanë shumë për futbollin t’i bëjmë të pushojnë të qetë. Lamtumirë miku im!”, shkruan Agim Ademi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat