Mancini me dyshime për listën finale

Futboll

Mancini me dyshime për listën finale

Më: 29 maj 2021 Në ora: 11:10
Mancini me dyshime për listën finale

Italia triumfoi me goleadë 7-0 në miqësoren ndaj modestëve të San Marinos në Sardenjë, ndërsa forma e mirë e lojtarëve që zbritën në fushë, shtoi edhe më shumë dyshime e trajnerit Roberto Mancini, për listën finale të 26 futbollistëve që do të grumbullojë për Kampionatin Europian.

Trajneri i “të kaltërve’ pranoi në përfundim të ndeshjes se dyshimet i ka pasur edhe më herët dhe se tani i ka edhe më të forta, teksa ka evidentuar edhe disa nga emrat që do të garojnë deri në fund për një vend në Europian.

“Dyshimet kanë qenë tashmë prej kohës, pasi kam më shumë se dy formacione dhe shumë lojtarë cilësorë, të cilët mund të bëjnë mirë në Europian, por jemi të detyruar të marrim vetëm 26 prej tyre.

Kean vuajti sonte, por te PSG ka bërë shumë mirë, ndërsa Raspadori më pëlqen shumë, edhe pse mungoi, pasi duhej të ndihmonte Italinë U21. Në portë kemi shumë konkurrencë dhe Meret e Cragno do të garojnë mes tyre për një vend. Edhe Pessina ka treguar se është një lojtar shumë i nevojshëm, por të shohim si do të vendosim në fund”, deklaroi Mancini.

Përveç dyshimeve, ka edhe emra të tjerë për të cilët trajneri i Italisë e ka ndarë mendjen, siç është rasti i Bernardeschit, një rezervë te Juventusi, por që bën gjithmonë mirë te Italia, ndërsa tekniku i të kaltërve shprehet i kënaqur edhe me rikuperimin e Sensit.

“Bernardeschi është përshtatur mjaft mirë te ne dhe na ka ndihmuar gjithmonë, ndaj është një siguri për Europianin. Edhe Sensi po stërvitet shumë mirë dhe besoj se është gati të japë kontributin e tij, ashtu si Verratti, që duket se ka lënë pas dëmtimin”, tha trajneri i Italisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat