Gurishta: Kualifikohemi në Shkodër me ndihmën e tifozëve

Futboll

Gurishta: Kualifikohemi në Shkodër me ndihmën e tifozëve

Më: 6 korrik 2021 Në ora: 14:02
Gurishta: Kualifikohemi në Shkodër me ndihmën e tifozëve

Bashkë me trajnerin Brdaric në konferencën për shtyp të Vllaznisë para ndeshjes ndaj Siroki Brijeg ishte i pranishëm edhe kapiteni Erdenis Gurishta i cili e analizoi kështu rivalin europian.

Sfidat në Europë – “Ndeshjet e Europës janë ndryshe, kënaqësi që marrim pjesë në Europë pas dhjetë vitesh. Kemi ëndërruar gjithë sezonin dhe e kemi merituar. Besoj se do bëjmë një paraqitje dinjitoze, por duhet të presim ditën e enjte. Nuk duhet të flasim në konferenca, duhet të flasim në fushë.”

Siroki – “Kemi parë shumë video të tyre. Normalisht që nuk i njohim shumë, por kanë cilësi, kanë disa lojtarë me shumë kualitete. Gjithsesi, edhe ata kanë dobësitë e tyre dhe besoj se do i godasim në pikat e dobëta të tyre. Do jetë një kundërshtar besoj i denjë i raundit të parë, do shohim edhe ne veten ku jemi. Besoj se mundësitë janë shumë të mira që ta kalojmë turin.”

Ndryshimet – “Janë larguar disa lojtarë të rëndësishëm. Fituam Kupën, dolëm në vend të dytë me pikë të barabarta me vendin e parë, kështu që ata lojtarë kanë pasur shumë merita. Besoj se po afrohen shumë lojtarë të mirë. Duhet pak kohë të ambientohen dhe të përshtaten me ekipin. Besoj se kjo Vllazni do të jetë shumë e fortë, ndoshta më e fortë se sezonin e kaluar.”

Ndeshja e dytë në Shkodër – “Kjo është dëshira pozitive, të gjithë mezi po presim të hapen stadiumet. Unë premtoj që do të bëjmë çmosin që ndeshjen e parë të kthehemi me rezultat pozitiv, që të ketë një arsye më shumë që ndeshje e dytë stadiumi të jetë i tejmbushur. Të paktën me aq sa lejohet, 30% e stadiumit, dhe të kemi tifozerinë e zjarrtë që na nevojitet për të kaluar turin.”

Fangaj – “Çdo lojtar me cilësi dhe kualitet është një vlerë e shtuar për ekipin. Dihen vlerat e Fangajt. Ai ka pasur një dëmtim që i shkoi shumë gjatë. Na vjen keq, pasi ishte në formë në atë moment. Dëmtimi e la pas, i duhet pak kohë të ambientohet me ekipin. Ai është i mirëseardhur në ekip, çdo lojtar ka vendin e vet”, deklaroi Gurishta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat