Klopp sulmon Manchester Cityn

Futboll

Klopp sulmon Manchester Cityn

Më: 14 gusht 2021 Në ora: 14:56
Klopp sulmon Manchester Cityn

Mbrojtësi Virxhil van Dajk ka rinovuar kontratën me Liverpulin deri në vitin 2025. Kapiteni i Holandës u transferua nga Sauthemptoni për 75 milionë paund në janar 2018, ndërsa kontrata i skadonte në qershor 2023.

Por, lideri i prapavijës së Klopit rinovoi zyrtarisht në “Anfield” një ditë përpara rikthimit pas 9 muajsh në fushë, në startin e kampionatit kundër Noruiçit. Liverpuli ka shpenzuar vetëm 36 milionë paund në merkaton e kësaj vere (Ibrahima Konate), ndërsa Siti, Çelsi dhe Junajtid kanë shpenzuar 100 milionë paund (Xhek Grilish), 97.5 milionë paund (Romelu Lukaku) dhe 113 milionë paund (Xhejdën Sanço dhe Rafael Varan).

Klop u lëshon një shigjetë rivalëve përpara nisjes së Premier Ligës, duke thënë se nuk është i surprizuar nga këto shifra. “Unë nuk jam i surprizuar që ata shpenzojnë këto sasi parash, sepse këto klube nuk varen prej problemeve financiare që ka shkaktuar pandemia e Koronavirusit”, tha tekniku gjerman përpara ndeshjes së sotme kundër Noruiçit. “Unë e di që ato e gjejnë një mënyrë për të shpenzuar, ndërsa ne e njohim situatën tonë.

Të gjithë e dimë situatën e Çelsit, Sitit dhe PSG-së. Ne kemi mënyrën tonë të menaxhimit.

Ne na lejohet të shpenzojmë vetëm paratë që fitojmë. Këtë kemi bërë gjithnjë. Këtë vit, shpenzuam përpara se të fitonim për Ibo Konatenë, sepse nuk mund të rrezikonim në atë pozicion pas asaj që ndodhi vitin e shkuar. Kjo është situata jonë dhe unë nuk jam i surprizuar. Nuk jam kurrë i surprizuar për forcën financiare të Çelsit, Sitit apo Junajtidit.

Kam mjaftueshëm kohë në këtë vend dhe e di që ato e gjejnë gjithnjë një zgjidhje për të bërë këto gjëra. Ndërsa ne duhet të bëjmë mirë bilancet dhe kjo është një pjesë e rëndësishme e biznesit”.

Liverpuli humbi edhe Vajnaldumin këtë verë me parametër zero, një mesfushor i rëndësishëm i skuadrës së gjermanit. Por, Klop thotë se ai ka besim te lojtarët e akademisë, Kërtis Xhons dhe Harvi Eliot, se do të bëjnë hapin e madh këtë sezon dhe kjo është arsyeja pse holandezi nuk do të zëvendësohet në merkato.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat