Martini: Loja e Partizanit na imponoi atë tërheqje

Futboll

Martini: Loja e Partizanit na imponoi atë tërheqje

Më: 10 shtator 2021 Në ora: 22:19
Martini: Loja e Partizanit na imponoi atë tërheqje

Teuta ndryshon gjithandej, por jo në pankinë, pasi Edi Martini vijon të bëjë mirë punën e tij dhe pak ditë pas trofeut të katërt në harkun e një viti kalendarik, nis sezonin e ri me këmbën e mbarë, duke fituar 1-0 ndeshjen hapëse ndaj Partizanit.

Tekniku shkodran u shfaq mjaft i kënaqur me lojën e të tijve dhe pranoi se ka ende punë për të bërë, teksa theksoi se organika e kësaj skuadre është më cilësore se ajo e një viti më parë që fituan titullin kampion.

Teuta ndryshon në emra, por jo në mënyrën e lojës, pasi shfaqet agresive dhe me të njëjtën dëshirë për të fituar…
Është e vërtetë, pasi e kam thënë gjithmonë që arma më e fortë e Teutës është grinta dhe dëshira për të fituar. Ky ekip ka një autoritet prej kampioni, të cilin e shfaq edhe në fushë, megjithatë është ende herët për të bërë gjykime.

Çfarë mund të bënit më mirë sot?
Sot morëm tre pikët, por vuajtëm jo pak ndaj Partizanit, ndaj besoj se kemi ende punë për të bërë në aspektin e menaxhimit të lojës. Gjithsesi ishte ndeshja e parë dhe me rëndësi ishte që ta nisnim mbarë, duke marrë tre pikët.

Si ka mundësi që kampionët e Teutës nuk sillen në mënyrë profesionale me arbitrin? Është frymë e juaja, apo nuk arrini t’i disiplinoni?
Është një aspekt për të cilin ne flasim shpesh, por Aleksi ka këtë temperament dhe e vuajmë jo pak edhe në stërvitje. Ai jep maksimumin dhe e përjeton në mënyrë të atillë futbollin, ndaj e ka të vështirë të kontrollojë emocionet. Sa i përket Kallakut, atij i takon, pasi është kapiteni i skuadrës dhe duhet të jetë aty për të folur me arbitrin, Gjithsesi duhet të përmirësohemi në këtë aspekt.

Çfarë ka ndryshe nga viti i kaluar kjo Teutë?
Unë mendoj se jemi më mirë, pasi kemi ndryshuar në qendër të mbrojtjes, por edhe më lart, pasi ka ikur Bregu e ka ardhur Kallaku. Kemi ende edhe Vilën të dëmtuar, që e presim të rikthehet, por edhe Acquah, një element mjaft i rëndësishëm. Problemi i vetëm është që të rinjtë kanë ardhur rishtazi dhe duhet ende edhe pak kohë që të bëhen pjesë e grupit, megjithatë them se do jemi më mirë se vitin e kaluar.

A do të jetë Georgiev një surprizë te Teuta?

Është një lojtar shumë i mirë, që punon shumë dhe vrapon gjithashtu shpejt, ndaj do të jetë i rëndësishëm për ne këtë sezon. Megjithatë ne kemi edhe alternativa të tjera.

Duket se pas golit u tërhoqët më shumë se duhet…

Goli na imponoi të vinim pak më poshtë, megjithatë gabuam edhe disa pasime të shpejta, duke humbur mundësinë për të dalë në kundërsulm. Vlen të theksohet se edhe loja e Partizanit na imponoi atë tërheqje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat