E kërkojnë Bayerni dhe Juventusi

Futboll

E kërkojnë Bayerni dhe Juventusi

Më: 7 tetor 2021 Në ora: 23:09
E kërkojnë Bayerni dhe Juventusi

Antonio Rudiger theu më në fund heshtjen, duke folur për herë të parë për ofertat joshëse që ka marrë për të lënë ekipin e Chelsea-t. Futbollisti i përfaqësueses gjermane konsiderohet si një ndër mbrojtësit më të mirë të Premier League-s dhe natyrisht me formën e shkëlqyer që po përjeton gjatë këtij viti 28-vjeçari berlinez është shënjestruar nga drejtuesit e disa prej klubeve më të rëndësishme të “Kontinentit të Vjetër”.

I ndërgjegjshëm për vëmendjen e madhe dhe sidomos interesimin e Bayernit të Mynihut, klubit më të famshëm gjerman, mbrojtësi me origjinë nga Sierra Leone nga ana e nënës pranoi se ndihet vërtet shumë i kënaqur për formën e tij dhe këtë fazë shumë të mirë të karrierës.

Antonio Rudiger shpjegoi se, pavarësisht gjithë kësaj vëmendjeje, ai po bën çmos për të ruajtur përqendrimin dhe fokusin e zakonshëm në radhët e bluve. Një koment i tillë vjen vetëm një javë pas shkrimit ekskluziv të Mirrorit dhe idesë se lojtari gjerman mund të shndërrohet në një ndër mbrojtësit më të paguar në historinë e këtij sporti.

Pasi e gjeti veten jashtë formacionit, madje shpeshherë edhe në tribunë me trajnerin e mëparshëm të klubit londinez, Frank Lampard, gjërat ndryshuan menjëherë me emërimin e Thomas Tuchelit. Rudiger tani konsiderohet si një ndër futbollistët e pazëvendësueshëm te “blues”.

Në këtë mënyrë ish-mbrojtësi i Stuttgartit dhe Romës dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fitimin e Championsit të dytë për klubin londinez, por mbi të gjitha Antonio Rudiger ia doli për të ruajtur po të njëjtën formë, duke i bërë një nisje të shkëlqyer edhe sezonit të ri. Me Bayernin e Mynihut që po zmadhohet gjithmonë e më tepër në horizont, krerët e klubit po përshpejtojnë veprimet për rinovimin e kontratës, por për hir të së vërtetës bisedimet kanë mbetur në vend.

Ndërkohë nga një situatë e tillë duan të përfitojnë edhe drejtuesit e klubeve të tjera dhe Bayernit të Mynihut i është shtuar gjithashtu edhe klubi i Juventusit. Nga sa kuptohet, krerët e Bayernit dhe Juventusit janë të gatshëm për t’i dyfishuar menjëherë pagën që përfiton te Chelsea qendërmbrojtësit të përfaqësueses teutone.

Për momentin Rudiger është grumbulluar me “Nationalelf” nën urdhrat e trajnerit të ri, Hansi Flick, për dy takimet me Rumaninë dhe Maqedoninë e Veriut dhe qendërmbrojtësi pranoi se ndihet krenar dhe i përkëdhelur nga fjalët shumë të mira që tha në adresë të tij trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann, por 28-vjeçari kryeqytetas shtoi gjithashtu se nuk do të shpërqëndrohet aspak nga elozhet që po thurren nga të gjitha anët për të.

Në krahun tjetër, pasi theksoi rëndësinë e respektin që gëzon Rudiger në gjirin e ekipit, Thomas Tuchel konfirmoi se është duke shtyrë drejtuesit e Chelsea-t për të sheshuar të gjitha mosmarrëveshjet me palën e futbollistit gjerman, në mënyrë që rinovimi i kontratës të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në Ishull ka pasur spekulime të shumta mbi një interesim të klubit tjetër londinez, Tottenham Hotspur, megjithëse së fundmi për qendërmbrojtësin gjerman janë futur në lojë gjithashtu edhe drejtuesit e Realit të Madridit dhe Paris SG. Rudiger që është në vitin e tij të fundit të kontratës është i lirë për të nisur bisedimet me drejtuesit e skuadrave të tjera që në muajin janar.

28-vjeçari nga Berlini u transferua nga Roma te Chelsea në verën e vitit 2017 për shifrën e 29 milionë strëlinave dhe deri tani te blutë ka pasur një pagë prej 100.000 paundësh në javë, ndërkohë vlen të theksohet fakti që ofertën e parë të përmirësuar prej 125.000 stërlinash në javë pala e mbrojtësit gjerman e refuzoi menjëherë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat