Tirana vazhdon përgatitjet për derbin

Futboll

Tirana vazhdon përgatitjet për derbin

Më: 21 tetor 2021 Në ora: 12:55
Tirana vazhdon përgatitjet për derbin

Tirana ngroh muskujt për derbin. Bardheblutë vazhdojnë përgatitjet për përballjen e madhe të kësaj të hëne me Partizanin.

Lajmi i mirë për Orges Shehin është se infermeria është boshatisur dhe trajneri ka të plotë grupin e lojtarëve për sfidën me rivalët e përjetshëm. Elementë të rëndësishëm të kampit bardheblu që kaluan pak ditë më parë Covidin, janë rikuperuar plotësisht dhe në aspektin fizik pasi kaluan sëmundjen duke gjetur formën e duhur për një sfidë të madhe si ajo e derbit.

Te Tirana ky është një derbi që përgatitet me optimizëm, edhe për faktin se fitoret e fundit, ndaj Lacit dhe Teutës kanë karikuar me vetëbesim skuadrën që shkon në këtë përballje si kryesuese e klasifikimit ku i shikon nga lart poshtë me një diferencë prej 7 pikësh rivalët e kuq që ende nuk kanë shijuar fitoren e tyre të parë në këtë kampionat.

Tirana ka në favorin e saj edhe faktin,  se derbi më në fund, gëzon edhe praninë e tifozëve që kthehen të shijojnë një derbi pas plot 5 përballjeve me stadiumin të boshatisur për shkak të pandemisë. Duke qenë se Tirana është skuadra pritëse do të ketë edhe dominimin në tribuna, ku interesi për të gjetur një biletë është i jashtëzakonshëm.

Kapaciteti prej 30% të stadiumit që përmban protokolli aktual tanimë është ezauruar dhe Tirana pret që ti miratohet kërkesa për të lejuar aksesin edhe për pjesën e mbetur nga organet kompetente për të nxjerrë në shitje dhe biletat për sektorët e tjerë.

Ndërkohë në fushë Orges Shehi përgatit taktikën anti-Partizani, me teknikun që në ditët në dispozicion mund të kristalizojë zgjedhjet për sfidën më të ndier në kampin kryeqytetas, ku kërkojnë ta përgatisin këtë sfidë si një përballje të radhës, duke kërkuar ta përcjellin presionin te rivalët e kuq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat